CHwB reagon mbi Kalanë e Vushtrrisë dhe shfrytëzimin e saj si restorant
Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij si palë implementuese e projektit Ruajtja e Kalasë së Vushtrrisë (2012-2014), të financuar nga Qeveria e SHBA përmes Ambasadës Amerikane në Prishtinë, me kujdes të veçantë po i përcjellë zhvillimet e fundit lidhur me dhënien në shfrytëzim privat të këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Si lokalitet arkeologjik, Kalaja e Vushtrrisë ka vlerë të madhe historike, si një simbol për qytetin dhe historinë e tij të gjatë. Konservimi dhe adaptimi (rijetëzimi) i këtij lokaliteti ishte planifikuar duke konsideruar statutin e saj të mbrojtjes, autenticitetin dhe integritetin. Kalaja e Vushtrrisë është adaptuar në një hapësirë shumë funksionale me qëllim edukimi dhe interpretimi (muze i hapur arkeologjik) dhe platformë për ngjarje artistike dhe kulturore. Adaptimi i Kalasë në funksion të ri u mundëson të gjithë njerëzve pa dallim moshe, gjinie, religjioni apo aftësie, qasje të lirshme dhe shfrytëzim të hapësira të lokalitetit.
CHwB Kosova, me qëllim sqarimin e situatës pas zhvillimeve të fundit, fton institucionet e përfshira që të publikojnë të gjitha vendimet që i kanë paraprirë dhënies në shfrytëzim të lokalitetit të lartpërmendur.
Konkretisht, lusim Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, përkatësisht Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që të bëjë publik projektin për restaurim dhe të gjitha vendimet lidhur me dhënien në shfrytëzim të lokalitetit arkeologjik Kalaja e Vushtrrisë. Publikimi i projektit dhe vendimeve do të krijonte mundësi që të gjitha palët e interesuara ta kuptojnë procesin d eritashëm dhe bazuar në interesin publik të vlerësojnë arsyeshmërinë e këtyre vendimeve.
Vendimet lidhur me monumentet e trashëgimisë çdo herë duhet ti nënshtrohen një procesi transparent dhe gjërësisht të konsultuar me të gjitha palët. Në rastet kur asetet u jepen palëve të treta (operatorëve privat) me qëllim të përfitimit ekonomik, duhet siguruar patjetër kjo të bëhen përmes konkurrencës së hapur publike dhe procedurave të parapara me ligj. / KultPlus.com