Si u tmerrua delegati gjerman nga dreka e Esat Pashës?

Si u tmerrua delegati gjerman nga dreka e Esat Pashës?

Nadolny pranoi ftesën e pashait për të shkuar si mysafir tek shtëpia e tij në Tiranë. Ata u nisën në mëngjes nga Durrësi dhe aty nga dreka arritën në banesën e Esatit, e cila i bëri përshtypje delegatit gjerman për nga muret e pikturuara plot art. Pashai shtroi një drekë madhështore, por Nadolny zor se vuri gjë në gojë.
“Na nxorën 15 gjellë, – kujton ai, – por të gjitha ishin me mish qengji. Kulmi ishte kur na sollën kokat. Isha ulur afër Esat pashës dhe ai më serviri me dorën e vet një kokë qengji në pjatë. Kafsha më shihte me sytë e saj të turbullt, aq sa mua më vinte keq.

I thashë Esatit se nuk mund ta fusja në gojë, se nuk isha mësuar ende me zakonet e tyre dhe le ta bënte ai në vendin tim. Pashai shprehu keqardhje, por e mori kokën dhe nisi ta hajë siç dinte vetë, duke i nxjerrë në fillim sytë, gjë që për mua ishte një pamje makabër. Unë hëngra vetëm bukë e perime, ndërsa shqiptarët në tryezë nuk dinin të ndaleshin.

Pas drekës bëmë një shëtitje të vogël në kopsht, por pastaj erdhi darka që ishte e ngjashme me drekën. Ndihesha fare i këputur.”

(Ilir Ikonomi. ESAT PASHË TOPTANI – Njeriu, lufta, pushteti)

Shpërndaje në: