Baleti Kombëtar i Kosovës brenda vitit sjellë edhe tri premiera
Baleti Kombëtar i Kosovës, në shtator të këtij viti feston 45 vjetorin e themelimit, gjatë muajve në vazhdim ata do të sjellim edhe tri shfaqje premierë, shkruan KultPlus.
Baleti Kombëtar i Kosovës, në shtator të këtij viti, feston 45 vjetorin e themelimit, me ç’rast më 21 shtator do të prezantojë një monografi të Baletit Kombëtar, si dhe një premierë festive, shkruan KultPlus.
Premiera e shfaqjes festive, e cila do të jepet në përvjetorin e Baletit Kombëtar titullohet “Legjenda e një dashurie” me koreografi të Pllum Agalliu.
“Këtë vit Baleti Kombëtar i Kosovës feston 45 vjetorin e ekzistimit dhe me këtë rast ne më 21 shtator do të organizojmë një natë festive, ku do të sjellim një monografi për Baletin Kombëtar dhe një shfaqje që do të jetë premierë, të cilën ia kemi besuar mjeshtrit të madh të baletit, Pllum Agalliut. Në këtë natë do të ketë mysafir nga vende të ndryshme të botës dhe besoj që do të jetë diçka e veçantë”, tha drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj për KultPlus.
Më tej, Brahimaj ka treguar se përveç shfaqjes premierë “Legjenda e një dashurie”, e cila do të jepet më 21 shtator, Baleti Kombëtar i Kosovës brenda vitit do të sjellë edhe dy premiera tjera në muajin shtator dhe tetor.
“Ne deri më tani gjatë këtij viti kemi dhënë tri premiera dhe tri të tjera do t’i japim në muajt shtator, tetor dhe dhjetor. Përveç në shtator ku trupa baletit do të prezantojë premierën festive “Legjenda e një dashurie”, më 25 tetor do të jepet premiera e shfaqjes “Një ditë” që është punuar nga koreografja amerikane, Christie Coleman dhe i kushtohet pozitës së femrave në shoqëri. Ndërsa më 21 dhjetor Trupa e Baletit të Kosovës do të prezantojë shfaqjen e fundit premierë, për vitin 2017, emri i së cilës ende nuk është vendosur”, tha Ahmet Brahimaj për KultPlus.
Numri i premierave nga Trupa e Baleti Kombëtar i Kosovës për vitin 2017 është gjashtë, çka sipas tyre është me të vërtetë një sukses i madh. Gentianë Morina /KultPlus.com