Hapet edicioni i nëntë i ‘PriFilmFest’, Prishtina shndërrohet në një qytet të filmit (FOTO)
Hapja e ceremonisë u bë nga aktorët Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj, të cilët qysh në hapje premtuan që PriFest për një javë do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet të filmit, shkruan KultPlus.
Qysh në mëngjesin e ditës së djeshme, hyrja para Teatrit Kombëtar të Kosovës kishte marrë pamje të re. Ishte tepihu i kuq ai që kishte zbukuruar gjithçka dhe që po paralajmëronte se diçka e bukur do të ndodhte aty.
‘PriFilmFest’ po vinte. Ishte mbrëmja ajo që hapi dyert e teatrit dhe mirëpriti mysafirë të shumtë, artistë vendor e botërorë të cilët kishin ardhur të ndjekin nga afër hapjen e edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFilmFest.
Ky është edicioni i parë i PriFilmFest i cili mbahet gjatë verës, andaj para teatrit mysafirët po i shoqëronte edhe muzika e pijet e freskëta.
Hapja e ceremonisë u bë nga aktorët Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj, të cilët qysh në hapje premtuan që PriFest për një javë do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet të filmit.
“Përveç filmave më të mirë nga vendi e bota, PriFest sjellë edhe kineastë nga e gjithë bota, mysafirë special e debate të shumta”, u tha në hapje të festivalit.
E këtu nuk u la po u përmendur edhe mysafiri special i PriFilmFestit, regjisori Paul Heggis, fituesi i shumë çmimeve Oskar.
Tutje fjalën e mori drejtoresha e këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila fillimisht i falënderoi të gjithë mbështetësit e festivalit dhe tregoi rreth risive të këtij edicioni.
“Dua të falënderoj një person të veçantë, regjisorin Agim Sopi i cili mundësoi që kjo ngjarje të mbahet në korrik në teatër. Një tjetër gjë e rëndësishme sa i përket bashkëpunimit, është se këtë herë kemi bashkëpunuar me shtetin e Turqisë dhe kemi ftuar një delegacion të tyre prej 17 personash, të cilët vijnë nga Ministra e Kulturës së Turqisë. Ata sot janë këtu dhe ne jemi krenarë për këtë, sepse do të kemi mundësi të diskutojmë me ta gjatë këtyre ditëve për mundësi bashkëpunimi. Gjatë këtyre 7 ditëve të Festivalit do të kemi mundësi ta eskplorojmë Kosovën dhe të mësojmë se si të realizojmë filma në Kosovë”, tha Vjosa Berisha.
Ajo tutje ftoi në skenë ekipin e filmit “T`padashtun” me regji nga Edon Rizvanolli, njëkohësisht ky ishte edhe filmi që e hapi festivalin këtë vit.
“Po më vjen shumë mirë që jam këtu, për mua ka qenë gjithmonë ëndërr të jem në këtë teatër”, tha Rizvanolli duke vazhduar tutje të falënderoi mbështetësit e filmit, ekipin dhe gjithë aktorët.
Filimi “T`padashtun” u shfaq për të gjithë të pranishmit e ftuar në ceremoninë e hapjes së “PriFilmFestit”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ndërsa ceremonia e hapjes së PriFilmFest prej orës 22:00 u bart edhe në sheshin “ZahirPajaziti”, ku në kinemanë e hapur u dha premiera e filmit kosovar “T`padashtun” dhe hyrja ishte falas për të gjithë. /KultPlus.com