Gjobë rekord për Apple
Komisioni Europian ka gjobitur kompaninë amerikane Apple për shkelje të ligjeve të konkurrencës dhe shmangie të taksave duke shfrytëzuar Republikën e Irlandës.
Ky vendim i Komision mund ta detyrojë gjigantin e teknologjisë që të rikthejë në formë taksash një shumë deri në 13 miliardë euro në arkat e qeverisë irlandeze.
Raporti dhe vendimi final u bënë publike pas një hetimi trevjeçar të veprimeve të Apple në Republikën e Irlandës.
Në ligj i Bashkimit Europian u ndalon autoriteteve vendore të shteteve anëtare që t’u ofrojnë lehtësi kompanive të veçanta. Ky ligj është shkelur dy herë në marrëdhënien mes Apple dhe qeverisë së Irlandës. Së pari në vitin 1991 dhe më pas në vitin 2007, ku në të dyja rastet qeveria irlandeze lehtësoi barrën e taksave për kompaninë amerikane.
Komisionerja e Konkurrencës, Margrethe Vestager pritet që të dalë këtë të martë për të njoftuar shumën që Apple duhet të rikthejë mbrapsht, por vendimin final për shumën e saktë do ta marrin autoritetet irlandeze.
Apple nuk është e vetmja kompani amerikane që ndëshkohet nga autoritetet e Bashkimit Europian, transmeton tch. Më parë gjoba të majme kanë paguar edhe Microsoft dhe Google. Edhe në këtë rast, Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar institucionet e BE-së.
Departamenti i Thesarit deklaroi javën e shkuar se Komisioni Europian rrezikon të kthehet në një autoritet taksues mbi autoritetet e vendeve anëtare të BE-së dhe shtoi se Brukseli po përdor të tjera kritere për të ndëshkuar kompanitë amerikane.