Puna zgjat jetën
Më pak punë dhe stres, të ushqyer të shëndetshëm dhe më shumë ushtrime do t’ua zgjasin jetën, këshillojnë ekspertët.
Sidoqoftë, një studim i psikologëve amerikanë, ka treguar se kjo teori është e gabuar.
Psikologët Howard Friedman dhe Leslie Martin thonë se kanë dëshmuar se fshehtësia e rinisë së amshueshme më tepër qëndron mbi karrierën e suksesshme, martesën e lumtur dhe jetën e pasur shoqërore.
Ata kanë hulumtuar jetën e fëmijëve, që morën pjesë në një studim nga viti 1921. Për habinë e psikologëve, ata të cilët e kanë arritur pleqërinë e thellë, eliksirin e rinisë nuk e kishin gjetur në brokoli, vitamina apo vrapim, transmeton Koha.net. Edhe pse të ushqyerit e shëndetshëm dhe aktiviteti fizik janë të rëndësishëm për shëndetin, një ndikim vendimtar ka pasur edhe mënyra e të menduarit, karriera dhe jeta shoqërore.
Cilat janë të fshehtat e jetëgjatësisë?
Zelli dhe suksesi – Njerëzit joambiciozë, të cilët janë më pak të suksesshëm në karrierë jetojnë më pak se punëtorët, të cilët janë të vyeshëm. Njerëzit e suksesshëm, kanë jetuar mesatarisht pesë vjet më gjatë se ata të cilët nuk kishin arritur shumë në jetë, tregon hulumtimi.
Ndërgjegjshmëria – Nëse jeni të kujdesshëm me paratë, mendoni thellë dhe u kushtoni kujdes hollësive, ju keni gjasa më të mëdha që të jetoni më gjatë. Njerëzit e ndërgjegjshëm janë të kuptueshëm, ka më pak gjasa që ata të pinë duhan, të pinë tej mase ose të përdorin drogën. Ata gjithmonë u përmbahen këshillave të mjekut.
Një martesë është e mjaftueshme – Martesa e lumtur rrit gjasat për jetë të gjatë për të dy partnerët. Shkurorëzimi ndikon dëmshëm në shëndet, sidomos te meshkujt, tregon studimi.
Më pak se një e treta e të anketuarve të shkurorëzuar ka përjetuar një pleqëri të gjatë. Femrat e shkurorëzuara janë megjithatë në përparësi, sepse nëse nuk martohen prapë mund të jetojnë më gjatë, sikurse edhe ata të cilët tërë jetën e kanë kaluar në një martesë të lumtur.
Zgjidhini miqtë – Njerëzit e popullarizuar nuk janë të destinuar të jetojnë gjatë dhe të lumtur. Në fakt, nuk ka rëndësi se sa miq keni, por çfarë janë ata. Zgjidhini njerëzit me të cilët shoqëroheni, transmeton Koha.net. Shmanguni atyre të cilët ju fusin në probleme. Shoqërohuni me njerëz të lumtur, të shëndetshëm dhe aktivë.
Stabiliteti dhe kthjelltësia – Fëmijët e gëzuar dhe optimistë kanë jetuar më pak, krahasuar me ata stabilë dhe të kthjellët, ka treguar studimi. Njerëzit të cilët janë vazhdimisht të lumtur i nënvlerësojnë rreziqet dhe nuk marrin masa paraprake.
Largoni mendimet e errëta – Ata të cilët në secilën situatë mendojnë negativisht, kanë gjasa më të mëdha që gjëra të këqija vërtet edhe t’ju ndodhin në jetë. Prandaj, largoni mendimet e errëta!