Filmi i parë 3D për të cilin nuk nevojiten syza
Filmi “Avatar 2” është në përgatitje me teknologjinë më të re bashkëkohore, e cila do t’i mundësojë publikut të përjetojë 3D pa përdorimin e syzave.
Nëse keni parë filmin “Avatar”, regjisori James Cameron shpreson se vazhdimi i tij do t’i befasojë shikuesit.
Shtëpia e tij e produksionit Ligthstorm Entertainment ka ripërtërirë kontratën pesëvjeçare me kompaninë Christie Digital, me qëllim të avancimit të teknologjisë 3D për qëllime filmike.
Si pjesë e marrëveshjes, produksioni filmik do të ketë qasje në sistemin e projeksionit Christie Mirage 4KLH RGB, specifika e së cilës është mundësia e projeksioneve me përmbajtje 3D në rezolucion 4K me shpejtësi të ndërrimit të kuadrove prej 120 frame në sekondë.
Cameron tha se ka tentuar gjatë që të gjejë mënyrën për t’iu shmangur syzave 3D dhe shikuesve t’iu ofrojë përvojë më të mirë. Projeksioni laserik RGB punon në parimin e laserëve të ndarë të kuq, të kaltër dhe të gjelbër, të cilët prodhojnë dritë, transmeton KosovaPress.
Në pyetje është sistemi i njëjtë i projeksionit, i cili është përdorur në filmin Billy Lynn’s Long Halftime Walk në regji të Ang Lee.
Vetëm gjashtë kinema në botë ishin të pajisura për të transmetuar filmin e Lee në rezolucionin më të madh dhe me kuadro të shpejtësisë maksimale, ashtu që versione shtesë të filmit janë bërë në rezolucione më të vogla, në mënyrë që të bëhet e mundshme për t’u shfaqur në sallat tjera të kinemave.