S’ishim, s’jemi dhe s’do të jemi perëndimorë!

Shkruan: Fatlum Sadiku
Ramabaja është epitomë e sfilitjes historike së shqiptarit që në lumin e pandalshëm, të pamatë dhe të paqëllimshëm të historisë të ndërhyjë. Të ndërhyjë në formën e gjetjes së një të pakryere si kohë e si punë. Gjithnjë për sortën e shqiptarëve si Ramabaja ka diçka që s’është kryer.
Diçka është lënë në gjysmë, diçka ka mbetur e papërfunduar me vetveten. E papërfunduara në ne, nga ne dhe që duhet të përfundohet për ne qoftë edhe me mazokizma ndihmues nga jashtë, pra edhe me dorën e tjetrit, e qe pastaj bën që këtë as mos ta përmendim. Në rastin e Ramabajës, kjo ka të bëjë me ‘çlirimin nga zgjedha e një përkatësie identitare’, proces ky sipas tij i ngecur, por që atij si me shëlbese hyjnore i besohet njëfarë timonierllëku përgjatë ‘rrugëtimit të mëtejme’, rrugëtim në të cilin ky sheh njëfarë devize personale historike, njëfarë dorëzanie të nënës histori ndaj obligimit të tij piemontesk: ta realizojë vetveten duke e realizuar kombin, sipas kuteve te tij.
Pra që vete e komb t’i realizoj sipas parafytyrimit te tij. Krejt rastësisht Ramabaja harron se duke dashur të bëhet kampion i horizonteve te reja, po bëhet kampion në ndërtimin e parafytyrimeve-mure; harron se aspiratë e partisë së tij është ndërtimi i shqiptarit politik, e jo i të telekomanduarit kulturalisht, të diktuar nga politikat identitare e orientimore me bazë FORCËN; harron se VV nuk e konsideron të kryer Kosovën politikisht, të paktën jo aq sa për të patur rahatinë që dikush te dali me ligjërime e programe te kristalizuara kulturore (duket se Ramabaja e sheh të përfunduar Kosovën politikisht nga NATO/Ahtisaari e PDK, prej nga edhe liria e botës t’ia themi kulturës); harron se kombin nuk e zbuluan shqiptarët porse tek ne zuri vend mjaft vonë dhe në rrethana komplekse historike; harron se zëri i ngjirur e tij në përpjekje për tu bërë udhëzues s’bën as fusnotat e dhjetëra tezave antropologjike që do mund të dilnin me përfundime se si më shumë se sa qe jemi bërë komb, kemi përfunduar në familje te përçara pro-jugosllave e anti-jugosllave; në familje bashkëpunëtorësh, heshtakësh/frikacakësh e krejt pak patriotësh, çfarë vazhdojmë te jemi edhe sot; se përjetimi në të qenit prijatar i identitetbërjes kundër diçkaje, dhe kundrejt diçkaje kah atashimi i projektuar elitist – tashmë një shekull e gjysmë – është thelbi i përpjekjes antihistorike, meqë i bije ta tërheqësh dike zvarrë (pjesëtarët e etnisë) drejt ‘lartësimit’ idealist, konturat e të cilit i kanë përkufizuar një rrjet i ngushtë njerëzish, një komunitet i caktuar epistemik. Në mbretërinë e mendimit, kjo të nderkall imazhin e një polici të të gjitha tendencave komisare: njerëzve u tregohet me gisht stacioni, rruga për kah letrat e ligjërimet ‘mbi gabimet historike’ të dala nga ftohësi zyrash.
Në fakt ky relacion i shqiptarit me të pakryerën, si kohë dhe si punë, përbën një prirje të dëshmuar antihistorike te shqiptarëve, e që është shumë më e thellë se sa gërdija me një fe. Kjo sepse është gërditje nga vetvetja: gërditje nga fshati, gërditje nga brumosja në të djeshmen dhe vegjetimi i saj në të sotshmen, gërditje nga emri, gërditje nga mbiemri, gërditje nga eponimi i gjyshit e për gjyshin (vetëm mendojeni nje klithmë fëmije ‘bal’ teksa i’a vrajnë gjyshin në fshat dhe kthimin e emërtimit ‘bal’ në njëfarë sinjifikimi statusor që semiurbanët zgjodhën për ardhacakët e pasluftës), gërditje e mirditorit katolik me veten përballë shkodranit fin; pra diçka jo vetëm ‘islamike’ por tejislamike. Është përjetim që besatohet me vetëmashtrimin gjoja se përparuakam duke dalluar e duke u veçuar, pa u ndryshuar natyrshëm dhe pa u zhvilluar proaktivisht. Nëse identitetin e bashkëkombësit duam ta heqim nga sytë me një ‘fshhhhhhhhhht’ bash sikur në rastet kur nga shkallët e larta të një lumi shpupurisim rrjedhën e lumit, atëherë a nuk është pikërisht ky një sulm mbi vetë cilësoren dhe sasioren e imagjinuar të kombit? Nëse nga gjalpa heqim një copë a mbetet formati i gjalpës i njëjtë, dhe a mjafton ‘zvogëlimi’ gjithnjë i mëtejmë i gjalpë t’ia dalim mbanë muajit. A s’rrezikojmë të na harxhohen edhe thuprat në gardhimin e vazhdueshëm të së vërtetës “tonë”?
Nëse Ramabaja mendon se kombformimi shqiptar e ka mposhtur familjen, atëherë pse sundohemi akoma nga dajë e nipa? Apo nuk është angazhman primar i partisë se tij dalja nga ky stad i formacionit dhe organizmit? Nëse Ramabaja mendon se projekti rilindës është ai nga i cili shqiptarët e Kosovës janë modernizuar vullnetshëm e ka shumë gabim. Vetëdija për rilindësit tek ne hyri me pushtimin fashist, dhe herën tjetër ne vitet 70, falë makinacioneve politike e diplomatike Tito-Enver. Në Kosove ka pasur modernizim përmes Jugosllavisë, jo përmes rilindasve. Mësimi për rilindasit pa te keqën e Ramabajës, shumë më shumë është etabluar falë marrëveshjeve Jugosllavi-Shqiperi (dhe konturimit ideologjik qe iu është bërë këtyre mësimeve), se sa nga sakrifica.
Shkurt fjala shumë më shumë ka qenë një vegjetim ideologjik i shtetit qe burgosi Ramabajën, sesa sakrificë a vullnet për arratisje nga islami. Fakti që Sadri Ramabaja nuk mban çallme e as plis sot, rrjedh nga fakti se ne paradoksalisht u modernizuam pikërisht nga shteti qe Ramabajën e mbajti ne burg e jo pse ndoqën amanetin e rilindasëve, por këtë Rambaja nuk e thotë, meqë i konvenon dora e tillë, sipas tij, më pak penalizuese e Jugosllavisë. E qartë. Toumlin e thotë bukur: moderniteti ka agjenturën e tij të fshehur. Në saje të Jugosllavisë e ka përbrendësuar modernizmin edhe Ramabaja. E prapëseprapë une kam dyshime serioze nëse Ramabaja mund t’ia dal mbanë edhe me te intelektualin më të lodhur hindu, e qe mban çallme..
Sadri Rambaja: Rajoni ku gravitojmë ne është mes Adriatikut dhe Detit te Zi, mes lumit Tisa dhe Mediteranit. Quhet Ballkan. Jo Skandinavi, Francë, Gjermani a Vende të Beneluksit. Ka një histori të vetën, ne fakt historira të ndërthurura etnish që kanë jetuar pranë njëra tjetrës sa duke bashkëjetuar e sa duke u konfliktuar. Merre ose lëre. As nuk ka pasur, as s’ka, e as s’ka për të pasur shqiptarë sipas imazhit tënd. Bota që krijoi iluminizmin mezi e lagu Austrinë e Poloninë, e lërë më Kamenicën. Dhe mbi të gjitha, bota qe krijoi iluminizmin zhvilloi një luftë sizifike përball katolicizmit. Dhe as koha e as punët nuk do të rrjedhin në favorin e asaj stërkeqjeje që i bëhet Rilindjes kah një projekt kristian. Ngecja në orët e Rilindjes Kombëtare në një kohë kur shumë ujë ka rrjedhur nën urat e asaj ngjarjeje, madje çuarja e kursorit të ligjerimit rilindas kah nje klimaks katolcist, lëre që s’është “përparim” (meqë u pëlqen ky term), por nëna e retrogradës: thirrje nga istikamet e para 150 VJETE, që SOT kulturalisht e identitarisht (shih depolitizimin! dhe hilen e dalë nga komplekset) të gjejmë prehje në një fe që ka lindur edhe para vetë islamit dhe që shikuar gjithnjë nën dioptrinë e “përparimit” më shumë robëroi se sa çliroi.
Sadri Ramabaja! Kadare nuk është historian civilizimesh. Nuk ka bërë shkencë në Histori Kulturore. Merre për Zot tëndin si letrar, falë të qoftë. Por besoj e ke te qartë, se po të na ngjizte rrëfimtaria piemonteske e etërve te kombit, tash e 150 vite do të na bashkonte të paktën ndonjë figurë e ligjëruar nga ta. E kjo akoma s’ka ngjarë tek ne. Ndaj nëse nuk na bashkon asnjë figurë e ligjëruar islame, nëse nuk na bëka disi tok as ndonjë figurë fetarisht neutrale, ta kesh fort me dije se as thirrja kripto-kristiane nuk na ngjiz. Nuk bëhemi. Duhet të ketë diçka përlëvduese e jo titull-dhënëse në çështjet identitare dhe orientimore, e që na bën jo pasues te verbër por respektues dhe tolerantë. E ke të kotë.