Nata e fundit e luftës në Kosovë, përmes shfaqjes ‘Një shqiptar, një serb, dhe ushtarët”
Regjisori Abazi, tregoi në detaje për KultPlus, në lidhje me veprën e cila do të jetësohet më 23 qershor. Ai foli edhe për aktorët, vështirësitë sa i përket buxhetit, për mundësinë e udhëtimit të kësaj shfaqje e kështu me radhë.
Sarandë Selimi
Tragjikomedia “Një shqiptar, një serb, dhe ushtarët” trajton dy gazetar, njeri serb, tjetri shqiptar që kanë ikë nga lufta dhe janë fshehur në bodrumin e medies ku kanë punuar. Ngjarja ndodhë në natën e fundit të bombardimeve të NATO-s mbi ushtrinë serbe. E pikërisht muaji qershor na kujton këto bombardime, muaj ky i cili sjellë poashtu premierën e shfaqjes “Një Shqiptar, Një serb dhe Ushtarët”, me tekst të Ibadete Abazit e regji të Avni Abazit, në Teatrin Dodona në kryeqytet.
“Një autor është i suksesshëm kur shkruan për tema që tejkalojnë nivelin lokal të perceptimit, pa i ikur brumit nacional ose vendit prej nga vjen, kur është në trend me lëvizjet globale të skenës dhe kur respekton standardin profesional të të shkruarit në dramaturgji. Bashkëpunimi jonë ka të bëjë më dy pikat e para, pasi që puna ime si producent me ka bërë të mendoj gjithmonë, dhe në radhë të parë për publikun që do ta shoh veprën si dhe reaksioni që mund të këtë kjo vepër në këndvështrimin ndërkombëtar në qoftë se do këtë fatin të lexohet ose vihet në skenë për publik jo shqipfolës”, nisi kështu rrëfimin e tij për KultPlus, regjisori Avni Abazi, njëherësh edhe aktor i kësaj shfaqje.
Regjisori Abazi, tregoi në detaje për KultPlus, në lidhje me veprën e cila do të jetësohet më 23 qershor. Ai foli edhe për aktorët, vështirësitë sa i përket buxhetit, për mundësinë e udhëtimit të kësaj shfaqje e kështu me radhë.
“Vepra e që tani po e inskenojmë ka pas vështirësitë e veta sepse megjithatë prek luftën dhe është shumë e vështirë si përjetues të luftës ta ndash vetën nga ajo që krijon dhe të distancohesh plotësisht, duke e parë se Ibadeti, ka trajtuar aspektin human të personazheve në vepër dhe jo luftën si dukuri. Mendoj që Ibadeti, ka arrit të shkruaj një tragjikomedi të dy personazheve që shumë lehtë mund të ndodhë gjatë luftës se dytë botërore në mes të një gazetari gjerman, dhe një gazetari francez, në mes të një Boshnjaku dhe një Serbi në luftën e Bosnjës, në mes të një Hebreu dhe Palestinezi në Jerusalem ose edhe vende tjera ku dy popuj luftojnë deri sa dy njerëz të këtyre popujve i ikin luftës dhe ballafaqohen pa dashjen e tyre më një luftë të dytë të tyre për mbijetese”, pohoi Avni Abazi, duke vazhduar të flasë edhe për anën regjisoriale, pasi që, Avni Abazi në audiencën kosovare më shumë njihet si aktorë, edhe pse ka disa projekte të cilave ua ka bërë regjinë.
“E vërteta është se unë kam punuar disa here si regjisor, por që asnjëherë nuk kam pasur dëshirë që të identifikohem si regjisor. Arsyeja pse i hyra punës së regjisorit është mungesa e madhe e fondeve që kemi në këtë projekt. Unë bisedova me disa regjisor dhe pashë se të gjithë pa përjashtim e pëlqyen tekstin, por për arsye të fondeve nuk arritëm të merremi vesh që të bashkëpunojmë. E bukura e tekstit “Një Shqiptar, një serb dhe ushtarët” është se kemi të bëjmë më dramë që është e shkruar ekskluzivisht për aktor, dhe regjia është e mirë nëse arrimë që ne aktorët të luajmë bindshëm dhe të jemi të besueshëm në veprimet që bëjmë. Pa pretendime vizuale dhe efekte regjisoriale unë pretendoj që të sjell para publikut lojë të mirë të aktorëve dhe ngjarje shumë interesante”, u shpreh Abazi.
Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë: Armend Zeqiri, Gani Morina, Bashkim Alaj , Avni Abazi dhe Teuta Sadiku. Regjisori i këtij teksti, sa i përket kësaj kaste, tha se kanë bërë një punë të mirë ekipore, dhe në mënyrë rekorde brenda 28 ditësh po arrijnë që të japin premierën. Ai poashtu tha se, pavarësisht temës delikate, humori i zi dhe situatat komike nëpër të cilat kalojnë karakteret do të arrijnë të argëtojnë publikun edhe pse u ngelet këtyre të fundit dhe kritikës që ta vlerësojnë punën e tyre këtë të premte.
Duke pas parasysh, temën që ka kjo shfaqje, regjisori Abazi, tha se sa i përket reagimeve nuk mund të paragjykoj asgjë, duke e pas parasysh që ajo çka paraqet autorja dhe vetë regjisori, është vetëm nata e fundit e luftës në Kosovë.
“Unë besoj që shfaqja do të këtë ftesa nga festivale profesionale jashtë Kosovës, deri sa teksti është në përkthim e sipër dhe jam shumë i siguritë që do ta këtë rrugëtimin e vete si vepër e botuar, por edhe si shfaqje e inskenuar jashtë Kosovës në të ardhmen. Ndërsa sa i përket reagimeve të mundshme që mund të ndodhin, nuk mund të paragjykoj asgjë. Ajo që mund të them është se ne, në këtë rast Ibadete Abazi si autore dhe unë si regjisor paraqesim natën e fundit të luftës në Kosovë në një bodrum të Kryeqytetit dhe krejt ajo që do të shihet në skenë është një krijimtari origjinale fiktive që nuk ka ngjashmëri me asnjë dukuri a ngjarje të ndodhur vërtet në jetën reale që ne mund ta kemi marrë, pavarësisht se çdo gjë që prezantojmë i përket teatrit realist dhe doket e vërtet. Unë i ftoj të gjithë që të vinë e ta shohin shfaqjen pa pretendimin që ne themi krejt çka ka ndodhë, dhe se kjo që ne themi është e vërteta absolute”, tha ndër të tjera Abazi.
Krejt në fund, ai foli edhe për udhëtimin e kësaj shfaqje. Ai tha se edhe në dy shfaqjet paraprake siç janë “Ushtari i dy luftërave” dhe “Aromë Femre”, kanë pasur oferta që të udhëtojnë jashtë, sidomos në SHBA, por për shkak të fondeve nuk kanë pasur mundësi që t’i realizojnë këto udhëtime. Por, ai shpreson që kjo shfaqje të paktën të udhëtoj nëpër Kosovë dhe Shqipëri.
“Një shqiptar, një serb dhe ushtarët”, vjen premierë të premten më 23 qershor, me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Dodona, duke vazhduar më pastaj edhe me reprizat e tjera./ KultPlus.com