Volkswagen zbulon Polon e ri më 16 qershor
VW zyrtarisht konfirmoi se gjenerata e ardhshme e modelit Polo do të ketë premierën online kah gjysma e këtij muaji, në ngjarjen speciale në Berlin, transmeton KosovaPress.
Paraqitja e parë para panairit të publikut është caktuar për shtator, në sallonin e veturave në Frankfurt.
Në krahasim me gjeneratën aktuale, Polo VI do të përdorë platformën e re mekanike MQB-A0 dhe motor të avancuar.
Kur bëhet fjalë për dimensione, Polo i ri do të jetë më i gjatë dhe më i gjerë, por edhe më i lehtë. Edhe pse pritet që modeli i popullarizuar i Volkswagen nga segmenti B do të ketë dizajn evolutiv në krahasim me versionin aktual, gjenerata e re do të ketë pamje dinamike dhe drita të ri-stilizuara.
Për dallim nga Seat Ibiza, e cila është e pranishme vetëm në versionin me pesë dyer, Polo i ri do të ketë edhe variantin me tri dyer.
Sa i përket motorit, pritet që Volkswagen do të zëvendësojë 1.4 TSI me motorin e ri 1.5 TSI, i cili prodhohet në opsionet me 130 dhe 150 kuaj fuqi.
Modeli dizel do të ketë agregat të avancuar 1.6 TDI në disa versione. Spekulohet se në krye të ofertës do të jetë Polo GTI me motor 2.0 litra TSI, i cili zhvillon mbi 200 kuaj fuqi.