Shenjat që paralajmërojnë kancerin në mushkëri
Kanceri i mushkërive është lloji i dytë i kancerit më i përhapur si tek femrat ashtu dhe tek meshkujt.
Këta të fundit kanë mundësi 1 në 14 për të zhvilluar këtë sëmundje, ndërkohë që një në 17 femra mund të preket nga kanceri i mushkërive.
Kanceri i mushkërive është vdekjeprurës, por njohja e shenjave dhe simptomave të hershme shpëton jetë.
Këto janë shenjat që paralajmërojnë kancerin në mushkëri:
- Kollë e vazhdueshme
Ftohja shoqërohet me inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes e kollë, por këto të fundit zakonisht largohen brenda një apo dy jave. Nëse kjo gjendje vazhdon për një kohë të gjatë, mund të jetë një shenjë e kancerit të mushkërive, veçanërisht nëse kollitja vazhdon të përkeqësohet. Nëse kolla është e zhurmshme ose mund të shoqërohet me njolla gjaku duhet të vizitoni një pneumolog.
- Vështirësi në frymëmarrje
Qelizat kancerogjene që rriten në mushkëri mund të bllokojnë apo të ngushtojnë rrugët e frymëmarrjes duke ua bërë më të vështirë këtë proces. Nëse lodheni shumë shpejt dhe keni vështirësi në frymëmarrje edhe pas aktiviteteve më të thjeshta duhet të vizitoni mjekun.
- Dhimbje gjoksi
Kanceri i mushkërive mund të çojë në dhimbje në gjoks ose në shpatulla. Nëse dhimbja është e mprehtë, menjëherë duhet t’i tregoni mjekut. Dhimbja e kraharorit mund të jetë tregues i shumë problemeve shëndetësore, përfshirë kancerin e mushkërive.
- Gulçimet, fishkëllim gjatë frymëmarrjes
Këto që përmendëm më sipër mund të jenë gjithashtu shenjë e astmës ose alergjive, por është më mirë që mjek të diagnostikojë sëmundjen tuaj.
- Ndryshim në zë
Nëse filloni të vëreni ndryshim në zërin tuaj, duhet të vizitoheni. Trashja e zërit mund të shkaktohet nga një i ftohtë, por nëse kjo gjendje nuk kthehet në normalitet, mund të lidhet me kancerin e mushkërive.
- Humbje e pashpjegueshme e peshës mund të jetë shenjë e kancerit të mushkërive e jo vetëm, por kjo gjë nuk ndodh në fazat e para të sëmundjes.