Përse LDK nuk mund ta bëjë ç’kapjen e shtetit?
Kam ndjekur me interes, ditët e fundit, riaktualizimin e një premtimi të kahmotshëm të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për rrëzimin e “komandantëve të luftës,” ç’kapjen e shtetit nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe ndalimin e të keqës që po i kërcënohet shtetit të Kosovës nga “koalicioni i territ dhe krimit të organizuar.”
Para dy ditësh, ta zëmë, lexova një postim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në të cilin thoshte se “Invazioni i ekspertëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë në të gjitha nivelet e LDK-së konfirmon besimin e qytetarëve se vetëm LDK-ja dhe partnerët e saj mund ta ndalin të keqen që i kërcënohet vendit tonë.”
Po kështu, në mos më ashpërsisht, shprehej edhe kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili deklaronte se LDK nuk do të lejojë “që vendi të udhëhiqet nga koalicioni i territ dhe i frikës,” dhe se LDK “do të vazhdojë misionin [e saj] në çkapjen e shtetit.”
Kurse mbrëmë – teksa po lexoja lajmet kryesore të ditës – hasa edhe në një Deklaratë Zyrtare të LDK-së, në të cilën thuhej se LDK “garanton qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrijë në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’ia pamundësojë koalicionit të territ që t’i shantazhojë dhe t’i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësite tij.”
Shumë njerëz, sidoqoftë, me të drejtë i shohin këto deklarata të zyrtarëve të lartë të LDK-së si qëndrime hipokrite, pasi që vetëm në kohë fushatash i riaktualizojnë ato, kurse menjëherë mbas zgjedhjeve i harrojnë dhe hyjnë në koalicion me ata që deri dje nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër tyre (zyrtarëve të PDK-së, AAK-së, dhe NISMA-s).
Megjithatë, në vijim të këtij shkrimi, unë nuk dua të përsëris këtë kritikë legjitime që i bëhet zyrtarëve të lartë të LDK-së, dhe as kritikën tjetër në lidhje me modelet keqqeverisëse të kësaj partie – në nivel vendi apo komunash qoftë.
Në vend të kësaj, dua të ofroj një argument shtesë që, për mendimin tim, tregon në mënyrë të qartë se pse zyrtarët e LDK-së nuk mund t’i rrëzojnë “komandantët e luftës,” dhe as të bëjnë ç’kapjen e shtetit nga Partia Demokratike të Kosovës.
Argumenti, i formuluar në formë të një pyetje retorike, është ky: Nëse zyrtarët e LDK-së nuk mund ta rrëzojnë një plak të shkretë nga kreu i partisë së tyre, siç është zoti Mustafa, atëherë si është e mundur që ata do ta bëjnë rrëzimin e komandantëve më të fuqishëm të luftës – Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli?
Për të na bindur se zyrtarët e LDK-së e kanë menjëmend rrëzimin e “komandantëve të luftës” dhe ç’kapjen e shtetit, konsideroj se ata do duhej paraparakisht të ishin treguar të zotë për ta rrëzuar kryetarin e partisë së tyre, zotin Isa Mustafa – i cili jo vetëm që ka tradhëtuar besimin e elektoratit të LDK-së në zgjedhjet e kaluara, duke u futur në koalicion me PDK-në; jo vetëm që nuk e ka luftuar korrupsionin e krimin e organizuar për aq kohë sa ka qenë kryeministër; jo vetëm që nuk e ka bërë ç’kapjen e institucioneve të sistemit, siç dhe kishte premtuar; por, c’është më e keqja, i ka kontribuuar edhe vetë kapjes së institucioneve të pavarura dhe ndërmarrjeve publike nga pushteti politik e ekonomik. Dhe më pas, sigurisht, të na thonë se do t’i rrëzojnë “komandantët e luftës” dhe do ta bëjnë ç’kapjen e shtetit. E jo të kërkojnë rrëzimin e “komandantëve të luftës” dhe ç’kapjen e shtetit, kur vetë zotin Mustafa nuk mund ta rrëzojnë dhe ta ç’kapin partinë e tyre.
Kjo është, do të thoshin vëllëzërit dhe motrat tona andej kufirit, një shaka e kripur.