Vazhdojnë planet për udhëtim në planetin Mars

Vazhdojnë planet për udhëtim në planetin Mars

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Jan Woerner thotë se udhëtimi për në Mars përbën një sfidë të madhe për shkak të gravitetit të lartë të planetit. Por ai mendon se Hëna mund të shërbejë si planet provë apo stacion tranzit për një mision në Mars.

Nëse ëndërron të udhëtosh në planetin Mars duhet të presësh të paktën 15 vjet, deri sa të zhvillohet e gjithë teknologjia e nevojshme për një sipërmarrje të tillë, thotë kreu i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Jan Woerner.

“Duhen rreth dy vjet rrugë vajtje-ardhje… por është një sfidë e madhe edhe për të zbritur në Mars, sepse planeti i kuq ka një gravitetit më të lartë se Hëna. Është shumë, shumë e vështirë për të lënë përsëri Marsin dhe për t’u kthyer në Tokë”, thotë zyrtari në një intervistë për agjencinë Reuters.

Miliarderi amerikan Elon Musk ka thënë se planifikon të fluturojë me anijen pa pilot në Mars aty nga viti 2018, dhe synon të nisë një mision me njerëz në Mars në vitin 2025. Ndërsa synimi i Agjencisë amerikane i hapësirës, NASA është që astronautët amerikanë të mbërrijnë në Mars nga mesi i viteve 2030.

Drejtori i ESA-s, Woerner thotë se mund të duhet më shumë kohë sesa parashikon Elon Musk për të zhvilluar teknologjinë e nevojshme për një udhëtim të tillë dyvjeçar. Së pari për të dërguar një anije në Mars do të duhen raketa të fuqishme dhe karburant për t’u nisur nga Marsi për udhëtimin e kthimit, ndërsa njerëzit brenda anijes do të kenë nevojë për mbrojtje nga sfidat fizike dhe mendore, si dhe nga rrezatimi.

Ndërkohë, Jan Woerner mbështet idenë e krijimit të një rrjeti ndërkombëtar publik e privat të laboratorëve kërkimorë në Hënë, që ai e quan “fshat hënor”, që do të zëvendësonte Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës kur këtij t’i vijë fundi dhe për të provuar teknologjitë e nevojshme për të realizuar udhëtimin në Mars.
Ideja e “fshatit hënor”, thotë Jon Woerner, është “për të sjellë së bashku interesat e ndryshme të kompanive dhe vendeve, për shembull robotët dhe njerëzit, por edhe interesa krejtësisht të ndryshme si minierat, turizmi, dhe sidomos shkenca”.

“Fshati hënor është një ndalesë në rrugën për në Mars”, thotë Woerner, duke shtuar se teknologjia 3D e shtypjes mund të përdoret për të ndërtuar materiale dhe struktura nga shkëmbinj dhe pluhuri, duke hequr dorë nga mënyrat e kushtueshme për të transportuar çdo gjë të nevojshme për një mision.

Në muajin mars Evropa dhe Rusia filluan misionin ExoMars, në të cilin një anije do të përdorë një pajisje atmosferike për të çliruar shenja të jetës në Mars dhe për të vendosur një robot për të provuar teknologjitë e nevojshme për një Rover që është planifikuar për t’u lëshuar në Mars në vitin 2020.

Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Woerner gjithashtu thotë se Evropa nuk ka plane për të rivalizuar me përpjekjet e SpaceX të Elon Musk për të krijuar mjete relativisht të lira, dhe të ripërdorëshme për nisjen e raketave.

“Ne duhet të shmangim një garë të re në hapësirë. Konkurrenca është e mirë, por gara në hapësirë duhet të shmanget për shkak të prestigjit” thotë Jan Woerner./VOA/

Shpërndaje në: