Veçantit pozitive të mijaltit
Mjalti është një ushqim me mjaft vlera, shumë nga të cilat janë të dobishme, në kuptime të ndryshme, edhe në fushën kulinare. Artikulli në fjalë ju njeh me disa nga përdorimet e tij.
Mjalti është një nga ushqimet më të vjetra mes atyre që ka edhe vendi ynë. Në të kaluarën kur sheqeri nuk njihej ende, për ëmbëlsirat përdorej pikërisht mjalti; sot, duke qenë se sheqeri është më ekonomik për t’u prodhuar, ai është bërë zëvendësues i tij.
Por pavarësisht kësaj, nuk duhet të harrojmë se mjalti dhe sheqeri janë dy gjëra komplet të ndryshme. Diferenca qëndron te përdorimi jo i njëllojtë i këtyre dy produkteve.
Mjalti mund të zëvendësojë sheqerin
Kjo gjë dihet. Çdo herë që duhet të përdorni sheqerin, ai mund të zëvendësohet me mjaltin. Madje rezultati mund të jetë më i mirë. Mjafton të përdorni shumë pak prej tij e të merrni më të mirat për shëndetin.
Mjalti i zbut produktet e furrës
Mjalti duke qenë se nuk ka përbërje uji, ka tendencë që lagështinë e formuar gjatë pjekjes së një ëmbëlsire ta mbajë për vete dhe ta çlirojë me vështirësi. Pra mjalti në këtë mënyrë i bën të buta produktet. Kujdes duhet të bëni me sasinë e tij, nëse ëmbëlsirat nuk i pëlqeni shumë të ëmbla.
Ndihmon në përzierjen e substancave të tjera
Ky përdorim është tipik sidomos për kuzhinën aziatike, ku ekziston tendenca për të përdorur shumë salca, të cilat stimulojnë lloje të ndryshme shijesh. Duke qenë se përdoren shumë përbërës të llojeve të ndryshme do të thotë se, shpesh, të paktën dy-tre prej tyre janë të “papajtueshëm” me njëri-tjetrin dhe se mjalti përdoret si ndërmjetës, ose si substancë e cila arrin të lidhë bashkë të gjitha molekulat.
Mjalti ka vlerën e një minivakti
Ndonjëherë kemi nevojë për ndonjë vakt të ndërmjetëm të shpejtë për të marrë energji të mjaftueshme gjatë ditëve të ngjeshura me aktivitete të ndryshme. Mjalti mund të jetë shumë i dobishëm për këto raste, sepse ai përmban sheqerna të thjeshta dhe jo komplekse. Prej tij mjafton të konsumoni vetëm dy lugë gjelle.
Lufton erën e keqe të gojës
Mjalti ndër të tjera parandalon dhe lufton aromën e keqe të gojës, sepse ai është një antibakterial natyral dhe ky problem bezdisës varet vetëm nga bakteret e pranishme në gojë që shkaktohen nga ushqimet e mbetura nëpër dhëmbë apo nga infeksione të ndryshe të tyre. Për këtë problem ju ndihmon qoftë edhe një lugë mjaltë pas një vakti ku e ndieni më të nevojshme.
Ai mund të përdoret për të konservuar frutat
Mes shumë vlerash, mjalti është edhe një konservues i mirë, sepse bletët e prodhojnë atë pikërisht me shumë sheqer dhe pak ujë, duke krijuar kështu një ambient jo ideal për rritjen e baktereve. Me mjaltin ju mund të përgatisni komposto të ndryshme frutash.
Është një antioksidant i fuqishëm për peshkun, mishin dhe frutat
E dimë se mjalti, për sa i përket shëndetit, konsiderohet një antioksidant i rëndësishëm që parandalon plakjen e qelizave. Antioksidant do të thotë që “parandalon oksigjenimin”, ndërsa oksid është pjesa e zezë që formohet për shembull mbi mollët e lëna përgjysmë, ose te peshku dhe mishi, kur këto produkte lihen në ajër të hapur, për efekt të oksigjenit. Zakonisht e “zeza” mund të parandalohet me limon, po me veprim antioksidues, por edhe me mjaltë, që në ndryshim nga limoni, ushqimin e lë natyral dhe jo të thartë.
Mund të mbesim pa ushqim, por kurrë pa mjaltë
Në varret egjiptiane është gjendur mjaltë që njerëzit ua dhuronin faraonëve për jetën e përtejshme. Por e veçanta qëndron në faktin se, edhe pas dy mijë vjetësh, mjalti ishte ende i ngrënshëm edhe pse ishte në formën e kristaleve: mjaftonte që ai të ngrohej përpara konsumimit. Pra me këtë kuptohet se mjalti është ushqimi që qëndron më gjatë i konservuar. /Telegrafi/