Pretendohet se këto reçipeta zbulojnë kancerin e gjirit (Foto)

Pretendohet se këto reçipeta zbulojnë kancerin e gjirit (Foto)

Një student nga Meksika ka shpikur një palë reçipeta për të zbuluar kancerin e gjirit.

Por, a funksionojnë vërtetë? Nëse po, si?

18-vjeçari Julian Rios Cantu thotë se këto reçipeta do të jenë një sistem paralajmërues i hershëm për simptomat e kancerit të gjirit.

Reçipetat Bra, të krijuara nga Julian dhe tre shokët e tij, të cilët kanë formuar një kompani bashkë, janë akoma në fazën e prototipit. Megjithatë ata kanë arritur të grumbullojnë mjaftueshëm para për të nisur testimin dhe, këtë javë, fituan çmimin e parë tek “Global Student Enterprenuer Awards” .

Kompania e tyre, Higia Technologies, ka fituar një çmim prej 20 mijë dollarësh për të vënë në zbatim idenë e tyre.

Si funksionojnë këto reçipeta?

Tumoret kanceroze mund të ndryshojnë temperaturën e lëkurës për shkak të rritjes së qarkullimit të gjakut. Këto reçipeta janë të pajisura me biosensorë që masin temperaturën. Të gjitha të dhënat regjistrohen në një aplikacion dhe paralajmërojnë përdoruesin për çdo ndryshim shqetësues.

Gratë duhet t’i veshin reçipetat për 60-90 minuta në javë që të dhënat të jenë të sakta.

A mund të zbulojnë realisht kancerin?

Është akoma shumë herët për të përcaktuar me saktësi nëse do të funksionojnë vërtetë. Nuk janë testuar plotësisht dhe duhet të bëhen më shumë eksperimente mjekësore para se ekspertët e kancerit të fillojnë t’ua rekomandojnë njerëzve.

Anna Perman, nga Shoqata Britanike për Hulumtimin e Kancerit, tregon për BBC: “E dimë që tumoret shpesh kanë një ssitem të çrregullt të enëve të gjakut, por dimë gjithashtu se rritja e qarkullimit të gjakut nuk është patjetër shenjë e kancerit”.

“Për momentin, nuk ka të dhëna që tregojnë nëse këto reçipeta janë një mënyrë e besueshme për të zbuluar tumoret, dhe nuk është ide e mirë për gratë që të përdorin teknologji që nuk janë testuar në eksperimente shkencore”.

“Është mirë të shohësh të rinj si Julian të pasionuar pas shkencës dhe që japin ide se si mund të ndihmojnë me diagnozat e kancerit. Por, një pjesë e rëndësishme e shkencës është testimi rigoroz, për t’u siguruar që shpikje të tilla janë realisht përfituese për pacientët”.

Nga i lindi ideja për shpikjen e reçipetave Julianit.

Ai kishte një motivim të veçantë, personal, për këtë projekt. Kur ishte 13 vjeç, nëna e tij për pak humbi jetën për shkak të kancerit të gjirit, të cilën e zbuloi shumë vonë.

Mjekët i thanë se gjëndrat që kishte në gjoks nuk ishin malinj, dhe rezultoi që kishin gabuar. Gjashtë muaj më vonë, një tjetër mamografi zbuloi se ishin masa tumorale dhe duhej të hiqte të dyja gjinjtë.

Pasi ka kërkuar për sëmundjen dhe praktikat aktuale diagnostikuese, Jualianit i lindi kjo ide, siguroi një patentë, mblodhi disa miq që e ndihmuan të hapë biznesin, dhe krijoi një produkt që shpreson të dalë në treg deri në fund të vitit të kaluar.

Shpërndaje në: