Qytetarët këmbëngulin për rindërtimin e xhamisë në Kala
Punimet për krijimin e amfiteatrit dhe ndërtimin e shtigjeve që përshkojnë pikat më me interes në Kalanë e Prizrenit janë në vijim e sipër, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e degës në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB).
Ndërkohë zërat e tjerë që kërkojnë rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit shprehin qëndrimin se kërkesat e tyre duhet të merren parasysh nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që mos injorohet historia e zhvillimit të Kalasë.
Iniciativa Qytetare për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit ende është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga organet shtetërore lidhur me kërkesën e parashtruar për rikonstruktimin e objektit fetar, të Sahat Kullës dhe funksionalizimin e topit për raste ceremoniale në kuadër të këtij kompleksi.
Sipas Iniciativës Qytetare, rindërtimi i xhamisë e i Sahat-kullës duhet të bëhet mbi bazat e njëjta juridike dhe parimet e trajtimit të sajteve të trashëgimisë kulturore, sikurse në rastin e objekteve të tjera që janë rikonstruktuar në Kala.
Mirëpo, organizata “CHwB” nëpërmjet një njoftimi në rrjete sociale ka njoftuar se në këtë monument arkeologjik po vijojnë punimet adaptuese si pjesë e projektit “Ruajtja e Kalasë së Prizrenit”.
“Pas përmbylljes së punimeve në ndërtimin e nyjave sanitare për vizitorët e Kalasë, punimet po vijojnë në dy përmbajtje të tjera. Në Qytetin e Epërm, tanimë është përfunduar konstruksioni i platformës shumëfunksionale (amfiteatrit). Shumë shpejt do të bëhen finalizimi, vendosja e ulëseve dhe gjelbërimi i hapësirës, ashtu që kjo pjesë të mund të shfrytëzohet nga komuniteti për qëllime kulturore e shoqërore”, shkruhet në njoftimin e CHwB-së, derisa shtohet se për të siguruar qasje për të gjithë dhe interpretim elementar për lokalitetin, tashmë ka filluar ndërtimi i shtigjeve, të cilat kalojnë afër pikave më me interes në Kala.
Projekti në fjalë financohet nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe zbatohet nga kjo organizatë në partneritet me Ministrinë e Kulturës, përkatësisht Institutin Arkeologjik të Kosovës. Sipas CHwB-së projekti pritet të përmbyllet në fund të shtatorit të këtij viti./ Koha.net/