Ja çfarë të bëni nëse ju vjedhin smartfonin
Të gjithë e dinë se nuk duhet të lënë një smartfon jashtë vëmendjes në një vend publik dhe megjithatë smartfonat vazhdojnë të vidhen në çdo kohë.
Nëse e pashmangshmja ndodh, ka disa hapa që mund të ndërmerrni për të ulur dëmin e pësuar, madje edhe të rikuperoni pajisjen e vjedhur.
Gjëja e parë është që të siguroheni që hajduti nuk mund të ketë akses në telefon dhe në të dhënat që ai përmban.
“Bllokimi i smartfonit duhet të jetë gjithnjë i aktivizuar”, thotë Andreas Mayer, një oficer i parandalimit të krimit në Gjermani.
Madje keni edhe mundësinë e enkriptimit, ku përdoruesit e sistemit Android mund të përdorin nivelet e sigurisë që kanë në mendu ndërsa ata të iPhone e kanë të parapërcaktuar.
Por dy funksionet “Android Device Manager” dhe “Find iPhone” ju mundësojnë gjithashtu që në distancë të bllokoni smartfonin ose të fshini të dhënat që keni ruajtur në të, por kjo është edhe një garë kundër kohës. Mbi të gjitha kjo mundësi është e vlefshme vetëm kur telefoni është i lidhur me internetin.
Me siguri që duhet të bllokoni dhe të fshini të dhënat nga telefoni nëse vidhet, por nuk duhet të mjaftoheni me kaq.
Ekspertët e sigurisë sugjerojnë që të ndryshoni fjalëkalimin e postës elektronike dhe të rrjeteve sociale që mund të keni të regjistruar.
Funksionet e smartfonëve Android dhe iPhone për të fshirë mund edhe të lokalizojnë ku ndodhet pajisja.
“Kjo nuk do të thotë se duhet të shkoni dhe ta kërkoni vetë”, thotë Mayer.
“Përkundrazi, telefonini policinë. Ky informacion mund të jetë shumë i vlefshëm për të kërkuar pajisjen”, vazhdon ai.
Nëse policia arrin ta rikuperojë pajisjen e vjedhur, është e rëndësishme që ju të keni numrin IMEI, një kod serial unik që çdo telefon ka.
Këtë mund ta gjeni në menunë e telefonit dhe ta mbani shënim diku.
Por gjithashtu duhet të bëni një rikthim të të dhënave në telefon në rast se ato janë fshirë.
Në smartfonët Apple kjo mund të bëhet nëpërmjet “iCloud” ose duke u lidhur në “iTunes”.