Qeveria amerikane përgjoi të gjitha bankat e botës

Qeveria amerikane përgjoi të gjitha bankat e botës

Agjencia Kombëtare e Sigurisë në SHBA, NSA vihet edhe një herë në qendër të vëmendjes.

Një grup hakerësh i quajtur “Shadow Brokers” publikon në internet një koleksion mjetesh e programesh të përdoruara nga NSA për të përgjuar kompjuterë në të gjithë botën. Siç thuhet, softuerët janë në gjendje të thyejnë sistemet e Uindousit, praktikisht duke i dhënë mundësinë kujtdo që ka njohuri të mjaftueshme informatike për të penetruar, por edhe për të kontrolluar serverët e të tjerëve.

Të dhënat e publikuara sugjerojnë se programet mund  jenë përdorur për të shënjestruar sistemin bankar global “SWIFT”.

Sipas ekspertëve, një hakerim i tillë mund t’i ketë mundësuar SHBA-së monitorimin e fshehtë të transaksioneve financiare. Sistemi “SWIFT” përdoret gjerësisht nga bankat për të transferuar triliona dollar çdo ditë.

Kompania zhvilluese e këtij sistemi tha se nuk ka gjetur provat, të cilat tregojnë hakerimin e rrjetit të saj.

Nëse do të rezultojë i vërtetë, ky do të ishte ekspozimi më i rëndësishëm i dosjeve të NSA-së që prej 2013-s, kur ish-kontraktori i NSA, Eduard Snowden shpërndau online një sërë dokumentesh sekrete të shërbimeve të inteligjencës.

Shumë analistë i cilësojnë si të besueshme të dhënat e fundit edhe pse institucionet e përfshira përgënjeshtrojnë pretendimet, ose refuzojnë të komentojnë.

 

Shpërndaje në: