Facebook realizon 6.44 miliardë dollarë të hyra në kuartalin e dytë
Kompania e Facebook-ut ka njoftuar se në kuartalin e dytë të këtij viti ka realizuar të hyra në vlerë prej 6.44 miliardë dollarë që është për 59 përqind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar
Pas mbylljes së mbrëmshme të bursës së New York-ut kompania Facebook Inc, që është pronare e rrjetit më të fuqishëm social në botë njoftoi për të hyra në vlerë prej 6.44 miliardë dollarë që është shumë më shumë nga 4.04 miliardë të realizuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sa i përket fitimit të realizuar, në kuartalin e dytë të këtij viti, përfundimisht me 30 qershorin, ai ka kapur shifrat prej 2.05 miliardë dollarë fitim të pastër, që është për 186 përqind më shumë nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar kur ka qenë 719 milionë dollarë.
Në bazë ditore nga fillimi i prillit deri në fund të qershorit në Facebook kanë hyrë mesatarisht 1.13 miliardë përdorues.
Pjesa më e madhe, 1.03 miliardë përdorues, aplikacionin e kanë të instaluar në pajisjet mobile.
Vlera e aksioneve të Facebook-ut mbrëmë në bursa është rritur për 6.7 përqind mirëpo analistët thonë se sot do të përcaktohet vlera reale e aksioneve të Facebook-ut pasi rritja e mbrëmshme e vlerës është bërë nën përshtypjen e tregtimit pozitiv të kompanisë.