Në Prizren, priten investime prej 500 mijë euro
Memorandumet janë nënshkruar muajin e kaluar, përderisa projektet ende nuk kanë nisur.
“QRTK-ja, MKRS-ja dhe IKMM-ja kanë nënshkruar dy memorandume të mirëkuptimit me shumën afër gjysmë milioni euro, me qëllimi të përmbushjes së objektivit të përgjithshëm për ndërhyrje konsoliduese emergjente për shpëtim dhe rehabilitim të aseteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha.
Sipas tij, aplikimi i ndërhyrjeve restauruese konservuese, me theks të veçantë ato me karakter konsolidues – emergjent, për shpëtim dhe rehabilitim si dhe mënyra e kryerjes së këtyre ndërhyrjeve, janë detyrim ligjor dhe veprim i domosdoshëm i institucioneve kompetente.
Në kuadër të projekteve restauruese-konservuese në ndërtesat publike, sipas drejtorit të QRTK-së, parashihet intervenimi në ndërtesën e Postës së vjetër, që është monument i mbrojtur i shekullit XIX, pastaj intervenimi në Xhaminë e Myderiz Ali Efendiut, që, sipas shënimeve të Ivan Jastrebovit (konsull rus në Prizren, shekulli XIX) pohohet se është ndërtuar në vitin 1581, intervenimi te trafot e vjetra, pastrimi i krojeve të vjetra publike, e gjithashtu edhe vazhdimi i punimeve restauruese-konservuese në objektin e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në përputhje me projektin ekzistues, ku parashihet hapja e vrimave të ndriçimit dhe rivendosja e pllakave të plumbit në pjesët e dëmtuara nga vjedhjet.
Intervenimet emergjente nëpër shtëpitë e banimit, sipas Hoxhës, përfshijnë godinat që paraqesin shembuj reprezentativë të arkitekturës së banimit të Prizrenit, sikurse që janë shtëpia e familjes Shukriu e ndërtuar në shekullin XIX, shtëpia e familjes Pomaku në Qendrën Historike, e ndërtuar në pjesën e dytë të shekullit XVIII, e që është rinovuar në shekujt XIX e XX, pastaj shtëpia e familjes Myftiu e shekullit XVIII, e rinovuar në vitin 1859 nga Tahir Efendiu, shtëpia e Lazër Lumezit në lagjen “Panteli”, e cila lagje është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme, shtëpia e familjes Alili në lagjen “Marashi”.