Ja sa shqiptarë e përdorin internetin
Tregu i shërbimit të internetit është zgjeruar me ritme të shpejta edhe gjatë vitit 2016 në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse, në fund të vitit arriti në afro 266 mijë, në rritje me afro 10% krahasuar me fundin e vitit 2015.
Në një vit, janë shtuar rreth 24 mijë abonentë të rinj të shërbimit të internetit. Rritja është akoma më e lartë në segmentin e përdoruesve me shërbime të integruara, ku përfshihen interneti, telefonia dhe televizioni. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 186 mijë, në rritje vjetore me 25%. Prej tyre, afro 93 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme.
Në veçanti, përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit.
Interneti me brez të gjerë po njeh një zgjerim akoma më të madh përmes rrjeteve të lëvizshme. Bazuar në statistikat e AKEP, janë 1.69 milionë shqiptarë me akses në internet 3G ose 4G, kryesisht nga aparatet celularë, por edhe përmes pajisjeve USB modem për kompjutera.
Numri i përdoruesve të internetit nga rrjetet celulare në një vit është rritur me 30%, i ndikuar fuqishëm nga teknologjia 4G dhe rritja e përdorimit të telefonave smart. /Scan/