Skadon pëlqimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës
Për një vit, sa kishte afat pëlqimi komunal, zyrtarët shtetërorë nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë një zgjidhje kësaj çështjeje. Pëlqimi për vendosjen e shtatores së mbledhësit të folklorit dhe pajtuesit të gjaqeve ishte dhënë nga Komuna e Prishtinës më 30 mars të vitit të kaluar. Pikërisht sot (e enjte), pëlqimi mbush një vit prej se është dhënë. Ceremonia e vënies së bazamentit të shtatores ishte paraparë të mbahej në shkurt të këtij viti, por një gjë e tillë nuk u bë shkaku i kundërshtimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
“Ky pëlqim vlen 1 (një) vit nga data e lëshimit”, shkruhet në pëlqim.
Sipas Komunës së Prishtinës procedura e marrjes së lejes duhet të përsëritet.
“Pëlqimet për vendosjen e shtatoreve kanë afat një vit dhe në rast të skadimit duhet të aplikohet përsëri, me procedure të njëjtë”, shkruhet në përgjigjen që Komuna i ka dhënë gazetës.
Në fillim të këtij muaji Instituti Albanologjik i Prishtinës ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të revokohet leja për vendosjen e shtatores në oborrin e këtij institucioni me arsyetimin se nuk janë pyetur organet drejtuese të IAP-it. Të njëjtët ende nuk kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre.
Drejtori i IAP-it, Hysen Matoshi, ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë kurrfarë përgjigjeje nga Komuna.
“Nuk jemi takuar me askënd për çështjen e shtatores dhe nuk ka pasur ndonjë zhvillim prej kur edhe kemi dorëzuar ankesën”, ka thënë Matoshi.
Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores, ka thënë se çështja e lejes për vendosjen e shtatores është problem procedural dhe leja mund të merret sërish. Ka thënë se e rëndësishme është që të merren vesh palët për vendosjen shtatores./ “Koha.net/