Konsumonin kokainë në zyrat e Komunës së Leposaviqit, aktakuzë kundër tre serbëve

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër tre zyrtarëve që u zunë duke konsumuar kokainë në Komunën e Leposaviqit.
Padia është ngritur kundër të pandehurit me iniciale S.S., për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe ndaj D.M., dhe S.M., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas komunikatës, gjatë muajit nëntor 2023 në objektin e Komunës së Leposaviqit, i pandehuri S.S., akuzohet se në objektin e komunës së Leposaviqit në një nga zyrat e komunës e fton të pandehurën D.M., dhe i ofron substancë narkotike të llojit kokainë dhe e konsumojnë së bashku përmes hundës, raporton Periskopi.
“Po ashtu, në një rast tjetër në muajin nëntor 2023, i pandehuri S.S., e thërret në një nga zyrat e objektit të Komunës së Leposaviqit të pandehurin S.M., dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e vendos në tavolinë dhe i pandehuri S.M., e konsumon përmes hundës. Po ashtu, gjatë muajit nëntor i pandehuri S.S., në një nga lokalet e qytetit pa autorizim shpërndanë substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që e thërret në banjon e kafiterisë të pandehurën D.M dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e pandehura D.M., e konsumon përmes hundës”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që tre të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit./Periskopi/