Peci: Ka komunikim mes Brukselit dhe Administratës Trump lidhur me dialogun Kosovë- Serbi

Peci: Ka komunikim mes Brukselit dhe Administratës Trump lidhur me dialogun Kosovë- Serbi

Ish Ambasadori Lulzim Peci në emisionin “Click” në RTV21 duke komentuar intervistën e Aivo Orav tha se aktualisht është duke u bërë një fazë parapërgatitore para fillimi të një ndërmjetësimi serioz të BE-së në raport me dialogun.

“Me sa kam njohuri unë ka një komunikim mes Brukselit dhe Washingtonit me Administratën e Trump lidhur me ecjen përpara dialogut”, tha Peci.

Së fundi, “Al Jazeeera” raportoi se SHBA-ja do ta emërojë Colleen Hyland zëvendësndihmës sekretare për Ballkanin Perëndimor, në vend të Alexander Kasanofit. Hylandi është diplomate me përvojë që ka punuar në disa misione diplomatike të SHBA-së, përfshirë edhe në Kosovë, ku ishte zëvendësambasadore në periudhën 2016-2019.

Gjatë presidencës së tij të parë 2017-2021, Donald Trump e trajtoi çështjen e Kosovës kryesisht përmes një qasjeje të orientuar drejt marrëveshjeve ekonomike, edhe pse atë kohë diskutimet bëheshin edhe për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë presidencës së parë ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik.

Marrëveshja e Uashingtonit u promovua si një sukses i diplomacisë së tij, ndonëse theksi ishte kryesisht në bashkëpunimin ekonomik dhe më pak në çështjet politike.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, vazhdon të proklamohet si udhërrëfyes për shmangien e konfliktit dhe normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 krijoi kornizën për normalizimin, por mungesa e implementimit ka ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e këtij procesi.

Zyrtarë perëndimorë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin se nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një kompromis, situata mund të mbetet e ngrirë, me rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit.

Kosova prej vitesh kërkon një mbështetje më të fortë ndërkombëtare për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe në NATO. Zyrtarë të SHBA-së në disa raste e kanë bërë të qartë se për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces, duhet normalizim i marrëdhënieve me Serbinë dhe ujdi, e cila i kontribuon stabilitetit në rajon./Periskopi/

Ben-Meir për dialogun: Trump do të ketë ndikim më të madh mbi palët

Kosova pa asnjë kontratë lobimi në SHBA

Serwer: Mendoj se administrata Trump do të dëshirojë që Brukseli të marrë drejtimin e dialogut

Shpërndaje në: