Haziri: LDK ka takuar Krasniqin e Haradinajn, asnjë bisedë me LVV-në

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka thënë se gjatë javëve të fundit, nuk ka pasur asnjë bisedë mes LDK-së dhe VV-së.
Haziri ka shtuar se, kryetari Abdixhiku ka pasur takime dhe iniciativa me partitë opozitare, duke përmendur biseda me, Bedri Hamzën, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj.
”Asnjëherë nuk ka biseduar me VV këto javët e fundit, ka inicaitvë me partitë politike tjera që vinë nga opozita ajo inicativë ka shkaktuar takime, me Hamzën, Memli Krasniqin, Ramush Haradinaj”. tha Haziri në RTV21.
Për herë të parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dy kandidatët për kryeministër të dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, janë takuar të dielën.
Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku janë takuar sy më sy të dielën në mbrëmje, raportojnë mediat në vend.
Së paku dy media, Express dhe Gazeta Nacionale, raportojnë sot bazuar në burime brenda dy partive për takimin mes Hamzës dhe Abdixhikut.
Takimi është mbajtur larg syrit të publikut dhe asnjëra prej partive nuk i ka komentuar ende raportimet e mediave.
Të shtunën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Diskutimet për formimin e një qeverie të re nuk kanë nisur ende. Ky takim mes Hamzës dhe Abdixhikut është i pari i raportuar të ketë ndodhur me dy liderëve të partive parlamentare të dala nga zgjedhjet.
PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe AAK-ja, e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, e cila i ka fituar zgjedhjet.
Kurti ka thënë se partia e tij do ta formojë qeverinë e re të vendit, ndonëse bazuar në rezultatin e zgjedhjeve partia e tij ka arritur të sigurojë 48 ulëse, të pamjaftueshme për të formuar një shumicë në Kuvendin e Kosovës.
Partitë opozitare, PDK-ja (24), LDK-ja (20) dhe AAK-Nisma, numërojnë së bashku 52 deputetë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë para disa ditësh se PDK-ja do ta presë radhën e saj për të marrë përsipër obligimin kushtetues për formimin e qeverisë, nëse Vetëvendosje e harxhon mundësinë e saj pa arritur të formojë një shumicë.
Ndërsa një koalicion të mundshëm me LVV-në e kanë përjashtuar tri partitë opozitare, Hamza u shpreh optimist për një bashkëpunim mes opozitës së deritashme.
Më i paqartë mbetet qëndrimi Nismës së Fatmir Limajt, i cili para disa javësh shprehu gatishmërinë për t’u futur në koalicion qeveritar edhe me LVV-në../Periskopi/