I shau dhe fyu keq gjyqtarët, FFK e suspendon me tri ndeshje Faruk Statovcin

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë vendim për dënimin e kryetrajnerit të KF “Rilindja 1974”, Faruk Statovci, pas sjelljeve të tij të papranueshme në ndeshjen e xhiros së 19-të të Ligës së Parë, mes Trepçës dhe Rilindja 1974.
Sipas raportit të gjyqtarit dhe pamjeve, Statovci, i pakënaqur me vendimin për akordimin e një penalltie në favor të skuadrës vendase, hyri në fushë duke ofenduar dhe kërcënuar gjyqtarin kryesor.
Gjithashtu, ai u vërsul ndaj gjyqtarit të katër, të cilin e kërcënoi dhe ofendoi me fjalë të papranueshme, transmeton Periskopi.
Në bazë të Rregullores Disiplinore të FFK-së, konkretisht nenit 15, paragrafi 1, pika H, Statovci është dënuar me ndalim të ushtrimit të detyrës së tij për tri ndeshje zyrtare.
Po ashtu, bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C të së njëjtës rregullore, ai është dënuar me një gjobë prej 300 eurosh, e cila duhet të paguhet brenda tetë ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.