Mediat fitojnë betejën: Hidhet poshtë padia e këshilltarit të Kurtit

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit të paraqitur nga Jusuf Ulaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, kundër Periskopit me drejtor Ilir Mirena dhe disa mediave tjera.
Jusuf Ulaj ka paraqitur një padi për shpifje kundër portalit informativ Paparaci, Nacionale, si dhe gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Ilir Mirena.
Padia përfshinte edhe një kërkesë për masë sigurimi, duke kërkuar që të ndalohej shpërndarja e mëtejshme e deklaratave që, sipas tij, ishin shpifëse dhe fyese ndaj tij.
Në aktvendimin e saj, gjykata ka konstatuar se kërkesa e Ulajt për ndalimin e publikimeve të pretenduara si shpifëse dhe fyese nuk plotësonte kushtet ligjore për caktimin e një mase të tillë.
Sipas gjykatës, paditësi nuk ka arritur të provojë ekzistencën e rrezikut të menjëhershëm që do të arsyetonte ndërhyrjen e menjëhershme përmes masës së sigurimit.
Fillimisht, Jusuf Ulaj përmes një statusi i kishte ofenduar rëndë disa gazetarë, duke thënë se mund të kenë ‘probleme me shëndetin mendor’. Kjo kishte ngjallur reagime nga gazetarët e për shkak të kësaj, Ulaj i ka paditur në gjykatë, shkruan Paparaci, transmeton Periskopi.
Avokatët e të paditurve kundërshtuan këtë kërkesë duke argumentuar se ajo përbënte një shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes, e garantuar nga Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Paparacit dhe Vehbi Kajtazit, Agnez Furra, argumentoi se pretendimet e paditësit nuk plotësonin kriteret ligjore për caktimin e masës së sigurimit dhe se një vendim i tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për lirinë e shtypit në Kosovë.
Tutje Furra ka shtuar se Jusuf Ulaj ka bërë aludime të pavërteta dhe të pabazuara, duke cenuar rëndë reputacionin e gazetarit Vehbi Kajtazi dhe kolegëve të tij, dhe këtë në kundërshtim me standardet e etikës mjekësore.
“Paditësi Jusuf Ulaj ka shpërndarë pretendime të pabazuara mbi gjendjen mendore të gazetarit, pa asnjë provë shkencore, çka në këtë rast këto veprime të paditësit në vetvete përmbajnë shpifje dhe shkelje të të drejtave të gazetarisë, duke cenuar reputacionin e gazetarit Vehbi Kajtazi”, ka thënë avokati Furra.
Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i Nacionale dhe Berat Buzhalës, Blend Bekteshi, deklaroi se kërkesa për masë sigurimi ishte e papërcaktuar dhe nuk përmbante ndonjë shprehje konkrete që duhej ndaluar, duke theksuar se një masë e tillë do të ishte e paligjshme. Sipas tij, padia e Ulajt synonte efektin e “vetëcensurës” ndaj gazetarëve.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore më 14 mars 2025 dhe shqyrtimit të provave, Gjykata Themelore në Prishtinë arriti në përfundimin se kërkesa e Ulajt nuk përmbushte kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurimit.
“Gjykata, pas shqyrtimit me kujdes të propozimit për caktimin e masës së sigurimit, përgjigjes në propozim të paditurve-kundërpozuesve të cilët kanë paraqitur përgjigje, si dhe deklarimeve në seancë dhe pas analizimit të provave materiale të cilat gjenden në shkresat e lëndës, ka ardhur në përfundimin se propozimi i propozuesit për caktimin e masës së sigurimit, në këtë fazë të procedurës, është i pabazuar, ngase me asnjë provë nuk e ka arsyetuar rrezikun që kanoset për realizimin e të drejtës së tij, të kërkuar sipas kërkesëpadisë, në emër të dëmit jomaterial për shpifje”, thuhet në aktvendim.
Në vendimin e saj, gjykata theksoi se për t’u caktuar masa e sigurimit, propozuesi duhet të plotësojë kushtin e besueshmërisë së kërkesës dhe kushtin e ekzistencës së rrezikut për pamundësi ose vështirësi të realizimit të kërkesës, të cilat duhet të plotësohen në mënyrë kumulative për t’u caktuar një masë sigurimi.
“Gjykata vlerëson se paditësi – propozuesi i masës së sigurimit nuk ka arritur të provojë se janë plotësuar në mënyrë kumulative këto dy kushte kryesore për caktimin e masës së sigurimit: besueshmërinë e kërkesës apo të drejtës subjektive, si dhe rrezikun se, pa caktimin e masës së sigurimit, paditësit – propozuesit të sigurimit do t’i vështirësohej apo pamundësohej realizimi i kërkesëpadisë dhe realizimi i kërkesës në emër të dëmit jomaterial, nëse do të provohej fakti se deklarimet nga të paditurit – kundërshtaret i sigurimit kanë qenë shpifëse.
Andaj, në këtë kuptim, gjykata nuk është lëshuar në vlerësimin e vërtetësisë së përmbajtjes së deklarimeve të publikuara, pasi kjo çështje do të trajtohet në fazat e tjera të procedurës në lidhje me kërkesëpadinë. Nëse e marrim për bazë kërkesëpadinë për kompensim dëmi jomaterial në emër të shpifjes, faktet që duhen vërtetuar në këtë rast do të shqyrtohen gjatë vendosjes në mënyrë meritore. Prandaj, refuzimi i propozimit për masë sigurimi në këtë fazë të procedurës nuk e prejudikon dhe nuk e vë në pikëpyetje çështjen e realizimit të të drejtës subjektive, nëse provohen pretendimet e paditësit – propozuesit për masën e sigurimit”, thuhet më tej.