Përfundon operacioni policor në Mitrovicë, 16 persona të arrestuar

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë në veri të vendit, me fokus në luftimin e veprimtarive kriminale, kontrabandës me armë dhe municion.
Ky aksion ka përfshirë dy rajone, Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut, dhe është realizuar në koordinim me institucionet kompetente të sigurisë.
Aksioni është zhvilluar në 21 lokacione në Mitrovicë, ku janë arrestuar gjithsej 16 persona.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, ka konfirmuar përfundimin e operacionit dhe ka njoftuar se, me vendim të prokurorit, 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.
Policia ka theksuar se pas përfundimit të aksionit, do të jepen detaje shtesë për rezultatet e operacionit dhe hetimet që do të pasojnë. Ky aksion është pjesë e përpjekjeve për të parandaluar veprimtaritë kriminale në veri të vendit dhe për të siguruar rendin dhe ligjin./