Ministria e Rozeta Hajdarit gjobitet me 3 mijë euro për mos lejim të qasjes në dokumente publike

Ministria e Rozeta Hajdarit gjobitet me 3 mijë euro për mos lejim të qasjes në dokumente publike

Fundi i mandatit për ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, po përcillet edhe me një gjobë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), për mungesën e transparencës në dokumente publike.

3 mijë euro do t’i kushtojë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari mostransparenca nga një palë që ka kërkuar qasje në dokumente publike.

Periskopi e ka siguruar vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi që e ka lëshuar më 18 mars 2025 në vlerë prej 3 mijë euro për “kufizim të qasjes në dokumente publike”.

“Shqiptohet gjobë ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë për moszbatimin e plotë të vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësisë me Nr. A-1121/2024 të datës 11 shkrurt 2025, në shumë prej 3,000.00 (tremijë eurosh) për kufizim të qasjes kërkesës për qasje në dokumente publike”, thuhet në vendim.

 

Më 18 dhjetor të vitit 2025 laboratori “Sierra Lab”, kishte ushtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi ndaj Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë për mos lejim të qasjes në dokumente publike.

Laboratori kishte kërkuar qasje ne “Raportin e Komisionit si dhe përgjigjen nga Drejtoria e Akreditimit lidhur me lëndën me nr protokolli 2874.

Më 11 shkurt Agjencia për Informim e Privatësi  obligon Ministrinë e Industrisë që t’i ofrojë qasje palës, mirëpo përkundër paralajmërimeve ministria refuzon t’i përgjigjet kërkesës së palës.

Deri te vendimi për gjobën Agjencisë për Informim dhe Privatësi i janë dashur më shumë se 3 muaj, e që ligji e parasheh ndryshe.

Në ligj thuhet se Agjencia i ofron institucionet 7 ditë kohë për ta përmirësuar qasjen, para se t’ia lëshojë gjobën, por ndaj Ministrisë së Industrisë nuk është vepruar në këtë mënyrë, duke ia zgjatur afatin gati 90 ditë. Nga data e ankesës së palës 18 dhjetor 2024 deri te vendimi për gjobën më 18 mars 2025, janë 90 ditë pothuajse në mes.

“Para shqiptimit të ndonjërës prej gjobave të parashikuara me nenin 33 të këtij Ligji, Agjencia informon institucionin publik me qëllimin dhe arsyen për shqiptimin e gjobës dhe i ofron një afat kohor, jo më të gjatë se shtatë (7) ditë, për të përmirësuar shkeljen e evidentuar, në mënyrë që të mos shqiptohet gjoba”, saktëson kapitulli 10 i këtij ligji.

Gjoba duhet të paguhet brenda 30 ditësh në llogarinë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

 

 

/Periskopi/

 

Shpërndaje në: