Pse dhe kush po qëndron prapa kërkesës për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut?

Pse dhe kush po qëndron prapa kërkesës për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut?

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Driton Selmanaj dhe Rrezarta Krasniqi janë vetëm disa nga figura të larta të LDK’së, të cilët publikisht kanë dalur me reagime ku shprehen të pakënaqur rreth rezultatit të votave të diasporës dhe lidershipit të partisë.

Enis Rrustemi, Periskopi

Ndër reagimet më të ashpëra, ishte ky i fundit i ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ku drejtpërsëdrejti i dha ‘goditjen’ kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut.

Sipas Hotit, disa prej problemeve më të theksuara kanë qenë ristrukturimi i LDK-së, të cilin ai e quan “selektiv”, si dhe distancimi nga LDK-ja e së kaluarës.
“Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së”, shkroi Hoti në Facebook.

Hoti po ashtu e përmendi si problem të madh edhe personalizimin e partisë, duke përmendur personalizimin e fushatës, përbërjen e listës, renditjen e kandidatëve në listë për deputetë.

“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”, ka shkruar Hoti ndër të tjera.

Rrebelimi brenda LDK’së, u krijua me atë që po konsiderohet ‘vjedhje të votave brenda partisë’.

Tashmë dihet rreth përplasjes Krasniqi-Tahiri në Vushtrri.

Rreth dy javë më parë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, urdhëroi rinumërimin e të gjitha qendrave të vendvotimit në komunën e Vushtrrisë.
Vendimi erdhi pas akuzave të kandidates për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi, e cila ka pohuar se janë keqpërdorur votat në disa qendra, duke akuzuar bashkëpartiakun e saj, Xhafer Tahiri, për përfshirje në këtë situatë.

Lidhur me këtë, Tahiri kishte hedhur akuza ndaj Krasniqit, duke thënë se vëllai i saj ka kërcënuar e bërë presion ndaj komisionerëve. Por, këto akuza i hodhi poshtë deputetja Krasniqi.

Në anën tjetër, për dyshimet për manipulim të votave brenda partisë, ka reaguar edhe njëra nga deputetet më të zëëshme të kësaj partie, Hykmete Bajrami.

Bajrami është pajtuar që të hetohet secili dyshim – dhe se kush ka manipuluar vota “vendin e ka në burg”.

“Le të rinumërohet secila votë, le të hetohet secili dyshim, le të verifikohet çdo gjë. Ne kemi institucione të thirrura për këtë punë, andaj askush nuk duhet të frikësohet nga rinumërimi dhe hetimi.

Çdo dyshim duhet të zbardhet me shpejtësi dhe vendosmëri, pasi që vetëm kështu forcohet besimi dhe integriteti i procesit zgjedhor. Për LDK-në vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe kushdo që ka tentuar ta devijojë atë, vendin e ka në burg. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit.

Secili anëtar, secili përkrahës, secili votues duhet të angazhohet për të mbrojtë vlerat e LDK-së dhe për ta rikthyer atë si forcën e parë politike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit”, ka shkruar Bajrami.

Arben Gashi gjithashtu ka akuzuar për manipulime të votës së diasporës, sidomos brenda partisë.

“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë.

Një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës. Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, ka shkruar Gashi i LDK’së.

Edhe sipas Driton Selmanajt, rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike.

“Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën dhe përsëritja e votimit të mërgatës, si në përfaqësitë diplomatike ashtu edhe votimi përmes postës, është e vetmja mënyrë që rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral.
“Siç po shihet deri më tani, votat në Qendrat Komunale të Numrimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime.

Edhe më keq është situata me votat e mërgatës.

Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike”, shkroi ndër të tjera Selmanaj.

Në një intervistë dhënë për Periskopin, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ishte pyetur edhe rreth mbledhjes pesë-orëshe të Kryesisë së LDK’së.

Në emisionin ‘Reel Talk me Maxhunin’, Haziri kishte theksuar se ankesat e këtyre figurave të larta në parti, “janë me të drejtë” – madje edhe vetë Haziri thotë se “edhe mua m’i kanë prekë votat, e di që m’i kanë prekë votat”.

Teksa, ndër të tjera i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjen nëse në mbledhjen e mbajtur brenda partisë, është kërkuar dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: