Pacolli i shkruan letër Thaçit: Kosova ka ende shumë punë për të bërë, s’ka asnjë forcë që mund të ndalë rrugën tonë drejt drejtësisë

Pacolli i shkruan letër Thaçit: Kosova ka ende shumë punë për të bërë, s’ka asnjë forcë që mund të ndalë rrugën tonë drejt drejtësisë

Behgjet Pacolli i ka dërguar një letër ngushëllimi ish-presidentit Hashim Thaçi pas vdekjes së babait të tij, Haxhiut.

Pacolli shprehu dhimbje të thellë për humbjen dhe theksoi se lajmi që Thaçi nuk do të mund të merrte pjesë në varrimin e tij është një padrejtësi e madhe dhe një shkelje e dinjitetit njerëzor.

Ai e cilësoi këtë si një dhimbje të dyfishtë që asnjë njeri nuk duhet ta përjetojë.

Pacolli e lavdëroi Thaçin për qëndresën dhe forcën që ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij, duke theksuar se, pavarësisht izolimit të padrejtë, ai mbetet simbol i krenarisë dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

E plotë:

Letër!

I nderuari President Thaçi,

Me dhimbje të thellë dhe respekt të madh, dëshiroj, edhe një herë të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të babait tuaj, Haxhiut.

Në këto momente të rënda, mendimet dhe lutjet tona janë me ju dhe familjen tuaj.

Me trishtim dhe zhgënjim të thellë mora lajmin se ju nuk do të mund të merrni pjesë në varrimin e tij. Kjo është një padrejtësi e madhe, një dhimbje e dyfishtë që asnjë njeri nuk duhet ta përjetojë. Përtej ligjeve dhe rregullave, ka parime të drejtësisë, të humanizmit dhe të dinjitetit njerëzor, të cilat sot janë shkelur në mënyrën më të rëndë.

Por, ju keni përballuar sfida të panumërta me qëndresë dhe forcë, nga lufta për liri e deri te ndërtimi i shtetit. Ju keni qenë gjithmonë një udhëheqës i guximshëm, krenar për rrugën që keni ndjekur dhe për sakrificat që keni bërë për popullin dhe shtetin e Kosovës. Unë e kam parë me sytë e mi se si keni punuar me vendosmëri për shpalljen e pavarësisë dhe për ndërtimin e institucioneve të një shteti të lirë e sovran.

Sot, ndonëse i izoluar padrejtësisht, ju mbeteni simbol i krenarisë dhe i sakrificës për lirinë e Kosovës. Ky gjyq, qe me veprimet e veta e benë të pakuptimtë nuk mund të shuajë të vërtetën dhe nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë. E vërteta do të triumfojë dhe ju do të dilni më i fortë se kurrë.

Ty, miku im të uroj shëndet dhe forcë! Kosova ka ende shumë punë për të bërë, dhe nuk ka asnjë forcë që mund të ndalë rrugën tonë drejt drejtësisë dhe përparimit.

Me respekt dhe mbështetje të plotë,
Behgjet Pacolli

Shpërndaje në: