Pesë të lënduar nga tragjedia në Koçan janë shtruar në spitalet e Selanikut, dy tashmë janë operuar

Në Selanik, në Spitalin “Papanikollau” dhe në Spitalin Ushtarak, janë hospitalizuar gjithsej pesë persona të lënduar nga zjarri në klubin e natës në Koçan, ndërsa prej tyre dy tashmë janë operuar, përderisa dy të tjerëve u është bërë trakeotomi, raporton MIA nga Athina.
Burime nga spitali Papanikollau, ku prej dje pasdite janë hospitalizuar tre të lënduar, të cilët me autoambulanca mbërritën në Selanik, informojnë se të gjithë janë në Repartin për Kujdes Intensiv për të lënduar me djegie, dy janë operuar, ndërsa i treti ende jo.
Siç njoftoi dje MIA, bëhet fjalë për dy vajza dhe një djalë, të moshës prej 25, 26 dhe 19 vjet, të cilët janë lënduar rëndë me djegie të mëdha.
Gjithashtu, sipas informacioneve të MIA-s, në spitalin ushtarak në Selanik janë transferuar edhe dy të lënduar të cilëve u është bërë trakeotomi.
Sipas burimeve të njëjta, Spitali “Papanikollau” deri më tani nuk është informuar ose njoftuar për transport të rasteve të tjera.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis njoftoi mbrëmë përmes platformës “X” se “Qendra Kombëtare e Ndihmës së Shpejtë është në gatishmëri të plotë operacionale për transportin dhe trajtimin e viktimave të djegura me kërkesë të Maqedonisë së Veriut”, dhe bëri me dije se katër spitale në Athinë dhe Selanik janë në gatishmëri të shtuar.
Georgiadis shpjegoi se pas kërkesës së vendit tonë drejtuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, “janë duke u zhvilluar të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe po vijon koordinimi mes Ministrisë greke të Punëve të Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile dhe Qendrës Operative Shëndetësore të Ndihmës së Shpejtë me qëllim të transportit, pranimit dhe mjekimit të të lënduarve me djegie në qendrat adekuate shëndetësore në vend”.
Sipas ministrit të Shëndetësisë së Greqisë, në bazë të planit operativ në gjendje të gatishmërisë së rritur janë tre spitale në Athinë dhe një në Selanik, që njëherësh janë edhe një nga spitalet më të mëdha greke.
“Qendra e Përgjithshme e Koordinimit të Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë ka vënë tashmë në gatishmëri numrin e nevojshëm të autoambulancave, të cilat do të përdoren në rast se do të merret vendimi që viktimat e djegies shtesë duhet të transportohen në qendrat shëndetësore të sistemit shëndetësor kombëtar ose në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare në Athinë”, shkroi Georgiadis në “X”.
Siç njoftoi MIA dje, burime nga qeveria greke bënë të ditur se 18 të lënduar nga zjarri në diskotekën e Koçanit do të shtrohen në spitalin “Papanikolaou” në Selanik dhe në spitalet ushtarake në Athinë dhe Selanik, dhe se pas një bisede telefonike mes ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Jorgos Gerapetritis dhe Timço Mucunski, “me aktivitete të koordinuara të Ministrive të Punëve të Jashtme, Shëndetësisë, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimit për Ndihmë Urgjente Mjekësore, Greqia do t’i pranojë të gjithë të lënduarit me djegie, siç ishte kërkuar nga Mekanizmi Evropian për Mbrojtje Civile.