Aksidenti me fatalitet në Ranillugë – këto janë dy viktimat

Dy vajza humbën jetën pas lëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi sot rreth orës 10:00 në aksin rrugor Domoroc-Hodonoc, në komunën e Ranillugut. Një tjetër person ka marrë lëndime, por ka shpëtuar.
Siç ka raportojnë mediat, viktimat janë Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi.
Fillimisht, policia njoftoi për vetaksident, por pas këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, policia tha se kishte qenë një aksident mes veturës dhe një kamioni.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar se shoferi i kamionit është ndaluar, ndërsa një pasagjere që ishte po ashtu në veturë është dërguar në QKUK, transmeton Periskopi.
“Si rezultat i veprimeve hetimore nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimit të vendit të ngjarjes, këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, me vendim të Prokurorit të Shtetit është ngritur dyshimi se nuk kemi të bëjmë me vetaksident por me aksident trafiku ku dyshohet se drejtuesi i kamionit me targa vendore mashkull Kosovar i vitit të lindjes 1970 si pasojë e kthimit të pasigurt ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës humb kontrollin mbi mjet në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundon e rrokullisur jashtë rrugës”, tha Hashani.
“Si pasojë e lëndimeve drejtuesja e automjetit Golf VII me targa vendore e vitit të lindjes 2002, shtetase e Kosovës ka ndërruar jetë ndërsa dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore të cilat janë transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan. Në emergjencën edhe përkundër ndihmës së ofruar nga ana e personelit mjekësor po ashtu ka ndërruar jetë edhe njëra nga pasagjeret, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar gjersa pasagjerja e tretë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për tretman të mëtejmë”, shtoi Hashani.
I dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndalur për 48 orë gjersa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
Rrethanat e këtij aksidenti të trafikut janë duke vazhduar të hetohen nga hetues policorë të aksidenteve në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.