Prokuroria jep detaje për aksionin e fajdes në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka dhënë detaje rreth aksionit për fajde në Prizren.
Prokuroria ka theksuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren dhe Drejtorinë për Krim të Organizuar, është realizuar një operacion i suksesshëm për goditjen e veprës penale të “Fajdesë” në rajonin e Prizrenit.
Në kuadër të këtij aksioni, është arrestuar E.K., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të fajdes.
Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari nga koha e pavërtetuar e deri në muajin mars të këtij viti, në bashkëpunim me individë të tjerë, ka ofruar kredi me kamatë të paligjshme për personin që ishte në gjendje të vështirë financiare, duke e detyruar të paguante kamata të larta, të cilat vazhdonin të rriteshin me çdo vonesë në shlyerjen e borxhit.
Përmes këtij veprimi, viktima ka pësuar dëme financiare të konsiderueshme, që deri tani arrijnë në më shumë se 100,000 euro.
Pavarësisht që viktima ishte detyruar të marrë një kredi prej 150,000 euro për të mbuluar borxhet, kjo shumë nuk ka mjaftuar për të kompensuar fajden dhe interesat e paligjshme që i janë imponuar.
Gjatë ekzekutimit të urdhrit të kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit E.K., policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme parash dhe pasurie, përfshirë 8,935 euro, 580 franga zvicerane, 1,000 dollarë amerikanë, 17,700 lekë shqiptare dhe një automjet të markës “AUDI”.
I dyshuari E.K. është ndaluar për 48 orë dhe Prokuroria Themelore në Prizren do të kërkojë masën e paraburgimit për të.
Prokuroria e Prizrenit ka theksuar se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për parandalimin dhe ndëshkimin e aktiviteteve të tilla kriminale, duke siguruar forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.