Rinumërimi i votave në Vushtrri e në disa komuna tjera: Deri në ora 16:00 u rinumëruan 36 nga 50 vendvotime

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se po vazhdon rinumërimi i votave në Vushtrri dhe në disa vendvotime të komunave tjera, shkruan Periskopi.
Elezi tha për Periskopin se deri në ora 16:00 janë rinumëruar 33 nga 35 vendvotimet nga komuna e Vushtrrisë, ndërkaq nga 15 vendvotimet e komunave tjera janë rinumëruar 3 sosh.
Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.
Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.
Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.