Edi Rama po e shqyrton mundësinë që të mos garojë për deputet në zgjedhjet e majit

Edi Rama po e shqyrton mundësinë që të mos garojë për deputet në zgjedhjet e majit

Edi Rama duket i vetëdijshëm se për mandatin e katërt i duhet një ndryshim rrënjësor i grupit parlamentar socialist, arsye për të cilën paralajmëroi të gjithë deputetët e tij të bëhen gati për të sfiduar njëri-tjetrin në lista të hapura.

“Ata që janë me një mandat deputeti në lista të hapura. Ne duhet t’u japim shqiptarëve një eksperiencë të vjetër me energji të reja. Transfuzion gjaku! Kush nuk pranon sfidën, është i lirë të largohet”, tha ai në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, raporton A2 CNN.

“Nëse nuk jeni dakord, komunikoni me drejtuesin politik”.

Përjashtim do të bëjnë vetëm drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët, sipas Ramës, do të disbalanconin garën nëse do të mendonin për veten dhe jo për ekipin. “Asnjë drejtues nuk dua të bëjë garë për kandidat të caktuar”, tha ai.

Po ku do të garojë numri 1 i Partisë Socialiste? Edi Rama surprizoi disa prej deputetëve, duke e lënë të hapur mundësinë që më 11 maj të mos jetë më deputet.

“Nuk e kam marrë ende vendimin nëse do të jem deputet”.

Edhe pse nuk i do më në grupin parlamentar, kreu i mazhorancës i udhëzoi deputetët që të punojnë të gjithë për mandatin e tij të katërt, duke i joshur me “karotën” qeveritare të postit ministror. “Duke pasur një grup të ri, do të kemi një qeveri me eksperiencë. Për formimin e qeverisë do të flasim një herë tjetër”, shtoi Rama.

Ndërsa deputetët socialistë qëndruan në heshtje duke përtypur vendimin e shefit, Rama mori Taulant Ballën dhe u largua në këmbë drejt zyrës së tij në Kryeministri.

Shpërndaje në: