Shefi i NATO-s në Sarajevë: S’është viti 1992, s’lejojmë që të rrezikohet paqja

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhet për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë dhe ka thënë se Aleanca është e përkushtuar për paqen atje, ndërsa foli pas takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq.
“Tre dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit, NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe sigurisë në këtë rajon. Kam tre mesazhe kyçe që dua t’ua përcjell të gjithëve, por njëri prej tyre është më i rëndësishmi. Para së gjithash, NATO është fuqishëm e përkushtuar ndaj Bosnjë e Hercegovinës. NATO e mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, deklaroi Rutte në fillim të fjalimit të tij, raporton Klix.ba.
Ai foli edhe për situatën në BeH, duke u ndalur veçanërisht në krizën e shkaktuar nga veprimet e autoriteteve në Republika Srpska.
“Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është gurthemel i paqes në këtë vend dhe duhet të respektohet. Ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR). Çdo veprim që minon Marrëveshjen e Dejtonit, rendin kushtetues apo institucionet shtetërore është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet nxitëse janë të rrezikshme, sepse përbëjnë një kërcënim të madh për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjë e Hercegovinës. Në fund të fundit, u takon liderëve politikë të Bosnjë e Hercegovinës të marrin përgjegjësinë, dhe këta jeni ju të tre. Nuk ka alternativë tjetër, ju duhet ta bëni këtë. Ky ishte mesazhi im kyç – ky vend po shikon nga ju të tre”, tha ai, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Rutte konfirmoi se NATO do të qëndrojë pranë Bosnjë e Hercegovinës në rast të një përshkallëzimi të situatës.
“Sigurisht, kam shqetësime lidhur me situatën e sigurisë, por ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë një vakum sigurie. Bashkësia ndërkombëtare është këtu dhe është e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fortë, qoftë përmes EUFOR-it apo NATO-s. E di që EUFOR-i është plotësisht i gatshëm për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe stabil në Bosnjë e Hercegovinë. Ne nuk do të lejojmë që paqja, e arritur me shumë vështirësi, të vihet në rrezik, dhe NATO do të vazhdojë t’ju mbështesë në rrugën tuaj euroatlantike, në të cilën po bëni përparim. Këtë po e bëjmë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë”, theksoi ai.
Ai përsëriti se zgjidhja e situatës aktuale varet nga politikanët e Bosnjë e Hercegovinës.
“Liderët politikë duhet ta bëjnë pjesën e tyre të punës. Rajoni do të përfitojë nga një angazhim i qëndrueshëm për stabilitet dhe paqe. E theksoj të njëjtën gjë për të gjithë aktorët në rajon. Ne jemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit tonë dhe duam të shohim që partneriteti ynë të rritet e të përparojë. Jemi të gatshëm të ndërtojmë dhe të zhvillojmë një bashkëpunim të qëndrueshëm midis NATO-s dhe Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës. Do të ishte e shkëlqyer nëse mund të investoni më shumë në Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës. Ne po ecim në hap me ju dhe në përputhje me vendimet tuaja sovrane. Sovraniteti dhe integriteti juaj territorial janë thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni. Bosnjë e Hercegovina mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të NATO-s”, tha Rutte.
Në përfundim, ai ripërsëriti mesazhin e tij më të rëndësishëm, duke theksuar se anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës “kanë mundësinë ta zgjidhin këtë situatë” dhe se ky është “takimi i tyre me historinë”.