Oda Ekonomike Amerikane apel qeverisë: Institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën pa ndërhyrje

Oda Ekonomike Amerikane apel qeverisë: Institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën pa ndërhyrje

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me deklarimin e Qeverisë së Kosovës, se odat ekonomike nuk duhet të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me promovimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies në qeverisje, dhe se deklaratat e tilla janë të motivuara politikisht.

“Si një organizatë që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm afarist në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se keqpërdorimet e pretenduara në prokurimin publik minojnë konkurrencën e drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe çojnë në keqpërdorimin e mundshëm të fondeve publike, duke cenuar kështu besimin e tatimpaguesve”, thuhet në reagimin e OEAK-së.

Kjo odë e cilëson shqetësues, insistimin e pushtetit ekzekutiv që të diktojë diskursin e akterëve joshtetërorë, e bartësve të pushteteve të pavarura, përmes përpjekjeve për delegjitimim të qëndrimeve të tyre.

“Kosova ka ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar themele të forta të demokracisë, dhe asnjë përpjekje nuk mund të cenojë suksesin e arritur.Çdo odë ekonomike, organizatë e shoqërisë civile, media, e hisedar tjetër jo-shtetëror, ka për obligim dhe duhet të avokojë fuqishëm në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës”, vazhdon reagimi i Odës Ekonomisë Amerikane transmeton Klankosova.tv

Është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe që të gjithë të bashkëpunojnë me to, duke konfirmuar në këtë mënyrë rëndësinë e një sistemi të pavarur dhe funksional të drejtësisë, si themel i një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se çdo individ, pavarësisht pozitës zyrtare, ka obligim kushtetues dhe ligjor për të dëshmuar në praktikë se Kosova është një shtet i së drejtës.

Shpërndaje në: