PDK në Gjilan me akuza drejt VV-së: Aktivistët e tyre ia ndërruan cilindrin zyrës së drejtoreshës së buxhetit

PDK në Gjilan me akuza drejt VV-së: Aktivistët e tyre ia ndërruan cilindrin zyrës së drejtoreshës së buxhetit

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Riad Rashiti, ka sinjalizuar për një, siç e quajti ai, skandal në Komunën e Gjilanit.

Rashiti me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka pretenduar se aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë kanë ndërruar cilindrin e derës së zyrës së drejtoreshës së buxhetit apo e kanë kopjuar çelësin, “duke ndërhyrë dhe patur qasje pa leje në zyren e saj, kur ajo nuk ka qenë prezent në punë“.

Ai ka thënë se rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndrruar cilindrin zyrës së saj apo kanë bërë kopjimin e qelsit, duke ndërhyrë dhe patur qasje pa leje në zyren e saj, kur ajo nuk ka qenë prezent në punë. E për këtë rast drejtoresha e buxhetit dhe financave ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë është duke e bërë punën e vet të hetimeve”, ka thënë ndër të tjera Rashiti.

I pari i PDK’së në Gjilan tha se kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka heshtur “sepse qëndron prapa një skenari dhe qëllimi për ta zavendësuar këtë drejtoreshë me shefene grupit të asambleistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit“.

“Në anën tjetër edhe pse ka kaluar afati ligjor, raporti financiar për vitin 2024 ende nuk i është dërguar Kuvendit Komunal që duhet ta shqyrtojë në seancën e marsit. Dyshohet sa janë bërë shumë veprime të dyshimta për mënyrën e shpenzimit të miliona eurove të buxhetit në vitin e kaluar dhe drejtoresha nuk është plotësisht e informuar, sepse është anashkaluar nga kundërshtarët e saj që po luftojnë për t’a larguar nga pozita që e mbanë ajo”.

“Çdo ditë e më shumë po demaskohet qeverisja e korruptuar e Alban Hysenit e cila e ka humbur kontrollën. Muajt në vijim do të ketë edhe skandale tjera të pabesueshme që do të dalin sheshit. E fundi i këtij pushteti do të jetë i turpshëm dhe tejet i dëmshëm për komunën tonë”, përfundon shkrimi i tij.

Shpërndaje në: