Vdes në moshën 53-vjeçare Andis Harasani, ish-deputet i Shqipërisë nga radhët e PS

Është ndarë nga jeta ish deputeti i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Andis Harasani, në moshën 53-vjeçare.
Lajmi i trishtë për vdekjen e ish-deputetit është konfirmuar nga bashkëshortja e tij.
“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të njeriut tonë të zemrës, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait, mikut Andis Harasani. Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk rreshti kurrë së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit. Unë, Thea dhe Henry jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim jete që krijuam bashkë. Ti do mbetesh në zemrat tona, njeriu ynë më i shtrenjtë, me humor të pakrahasueshëm, gjithë mençuri e guxim për të ecur përpara. Do na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!
Detaje për ceremoninë e lamtumirës së fundit do ndahen në ditët në vazhdim”, shkruan bashkëshortja e tij, Suela Kapllani.
Pas bashkëshortes, erdhi dhe reagimi i disa prej ish-kolegëve të tij.
