Rama jep lajmin e madh: Në Paris, shesh me emrin dhe bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu

Kryeministri Rama, ka zbuluar arsyen e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë, i cili prej disa ditësh është i rrethuar me skela.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se arsyeja e mbulimit është për shkak të marrjes së formave të monumentit për realizimin e një kopje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.
Rama ka deklaruar se ky mbulim i monumentit është cilësuar nga ajo që ai e cilësoi si ‘këneta sociale’, si një tradhti kombëtare.
“Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit. Arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris Po po, e lexuat mirë! Parisi do të ketë Skënderbeun e vet. Pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij. Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër”, shkruan Rama.