Sorensen më 19 mars pritet ta vizitojë Kosovën

Sorensen më 19 mars pritet ta vizitojë Kosovën

Përfaqësuesi i ri Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pritet të vijë më 19 mars në Kosovë. Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se pasuesi i Lajçakut, Peter Sorensen më 19 mars do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Kosovë si emsari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Enis Rrustemi, Periskopi

Pritjet për të janë shumë të mëdha, kjo pasi për dallim prej Miroslav Lajçakut, Sorensen nuk do të merret edhe me çështje rajonale të Ballkanit, por vetëm me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Kush është Sorensen?

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

Kurti dhe Lajçak, kurrqysh me njëri-tjetrin.

Vlen të theksohet se kryeministri Kurti vazhdimisht ka pasur kritika të ashpra për ish-emisarin nga Sllovakia, Miroslav Lajcak.

Kryeministri Kurti, kishte akuzuar Lajcakun se po bashkëpunonte me palën serbe në procesi ne dialogut dhe po i mbronte interesat e tyre.

“Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shprehte kryeministri.

Megjithatë, këto akuza të Kurtit, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) i ishte përgjigjur si “përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, deklaruan nga DASH.

Por, pavarësisht kësaj, dy vjet më parë u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë – Marrëveshja e Ohrit.

Në Ohër, më 18 mars, Kosova dhe Serbia do të pajtoheshin për Aneksin e Zbatimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova efektivisht hoqi dorë si nga njohja de jure që e kërkoi për dhjetë vjet ashtu edhe nga rezistenca për Asociacionin.

Gjithsej janë 11 nene, me atë të famshmin të përfshirë gjithashtu: respektimin e marrëveshjeve të mëparshme.

BE përmes një publikimi në sajtin zyrtar, kishte bërë të ditur zyrtarisht 11 pikat respektive.

Palët Kontraktuese,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut. , dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme. fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.

Pika 7 dhe 10 e marrëveshjes që Kurti pranoi sot, përfshinë themelimin e Asociacionit dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë

Megjithatë, gjërat shkuan duke u përkeqësuar…

Nga dorëheqja e kryetarëve të Listës Serbë në katër komunat veriore me shumicë serbe, protestat e dhunshme të 29 majit, ku pësuan ushtarë të KFOR-it dhe gazetarë kosovarë, kidnapimi i tre policëve të Kosovës në muajin qershor, sulmi terrorist serb i 24 shtatorit në Banjska, ku mbeti i vrarë heroi, Afrim Bunjaku e të tjera….

Të gjitha këto janë hapa drejt shkeljes së Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u pranua dy vjet më parë – më 27 shkurt, 2023 – nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Dokumenti, i cili në opinion u njoh edhe si “Plani Franko-Gjerman” dhe kishte mbështetjen e SHBA-së, duhej të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të u ra dakord dhjetë vjet pasi dy palët nënshkruan Marrëveshjen e parë të Brukselit. E, për t’u “siguruar” se do të zbatohet, ato u pajtuan edhe për Aneksin e Zbatimit gjatë një takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, 2023.

Pra, pas gjithë këtyre ndodhive, kjo marrëveshje pati një mungesë zbatimi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes vendeve, pavarësisht si marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarëisht e detyrueshme.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren. /Periskopi/

Shpërndaje në: