” Jo, jo, jo’ – Kurti refuzohet nga tri parti politike për koalicion paszgjedhor

” Jo, jo, jo’ – Kurti refuzohet nga tri parti politike për koalicion paszgjedhor

E ardhmja politike e Kosovës, vijon të mbetet e paqartë pas numërimit të votave  të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit. Subjekti i dytë më i madh i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duke vijuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të bëjnë koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Periskopi.

LVV-ja, që aktualisht është në pushtet dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është zotuar se do ta formojë sërish Qeverinë.
Udhëheqësi i saj, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara:
“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë Qeverinë e re”.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në emisionin “Click” në RTV21 tha se për PDK-në vijat e kuqe si koncept janë të papranueshme.

“Sespe vija e kuqe si koncept nuk është më ndaj lidershpiti të partisë, por ndaj qytetarit që e voton atë parti kjo është arsyeja. Krejt ata që kanë pasur vija të kuqe i kanë fshi ato vija, sepse zakonisht vijat e kuqe i kanë pasë me PDK-në, e pastaj kanë ardhë me PDK-në. Pra, ne nuk themi kemi vija të kuqe sepse përjashtimi i tillë është ndaj qytetarëve, e tash gjithmonë e kam vazhdu me një fjali tjetër por nuk shoh kurfarë mundësie me bashkëpunu me Vetëvendosjen në qeveri”, tha ai.

Krasniqi: Me Kurtin nuk diskutojmë për qeverisje të përbashkët

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë definiuese për koalicion paszgjedhor me VV-në, por, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar në një intervistë se ”Me LVV-në nuk bëj koalicion edhe sikur të më kushtoj me karrierë”.

“Unë jam i ri në politikë por nuk mund të bashkëpunoj me dikë që më konsideron bashkëpunëtor të Serbisë. Nëse kështu e keni bindjen, kjo nuk shkon, ose duhet me dal me sqaru para popullit… po s`me vyen sqarimi. Këta nuk janë të padijshëm, por po janë tu bë mashtrim publik me rrezikim të jetës së njerëzve. Këta njerëz unë i kam pas partnerë të koalicionit, në shtëpinë time është diskutua koalicioni, ky njeri ka qenë Shpejtimi”.

“Me autorizime të plota partiake, kemi folur gjerë e gjatë për gjërat më bazike, ai së paku dinjitetshëm duhet ta thotë se unë nuk mund ta them për disa njerëz që e di me atë gjuhë. Kjo nuk është personale, është partiake. Ai e konsideron LDK-në që duhet të mbytet, duhet të shuhet, është pro-Vuçiq. Në rrethana të tilla unë nuk fali. Parimet nuk i thej me dit që me kushton me jetë [karrierë], nuk e fali”, u zotua Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e qeverisë.

Në një deklarim për KosovaPressin ai ka theksuar se qeverinë duhet ta formojë opozita dhe sipas tij ka komunikim për këtë.

Lidhur me këtë, Ramush Haradinaj, i cili në zgjedhje garoi në koalicion me Nismën e Famtir Limajt, ka deklaruar se nuk ka “ndonjë avancim konkret por ka gatishmëri të ecet tutje”.

“Besoj që veç shihet se shumicën e ka opozita, kuptohet pas afateve kushtetuese opozita mund ta krijojë qeverinë. Besoj kjo është ajo që na takon neve si opozitarë, që të bashkohemi dhe të krijojmë qeverinë nga opozita. Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese por besoj ka gatishmëri që të ecim”, ka deklaruar Haradinaj.

Udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është në koalicion me AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Haradinaj i prerë ndaj Kurtit: Qeverinë duhet ta bëjë opozita

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Për ta formuar Qeverinë, një mandatari i duhen të paktën 61 vota./Periskopi/

Shpërndaje në: