Haradinaj i prerë ndaj Kurtit: Qeverinë duhet ta bëjë opozita

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e qeverisë.
Në një deklarim për KosovaPressin ai ka theksuar se qeverinë duhet ta formojë opozita dhe sipas tij ka komunikim për këtë.
Lidhur me këtë, Ramush Haradinaj, i cili në zgjedhje garoi në koalicion me Nismën e Famtir Limajt, ka deklaruar se nuk ka “ndonjë avancim konkret por ka gatishmëri të ecet tutje”.
“Besoj që veç shihet se shumicën e ka opozita, kuptohet pas afateve kushtetuese opozita mund ta krijojë qeverinë. Besoj kjo është ajo që na takon neve si opozitarë, që të bashkohemi dhe të krijojmë qeverinë nga opozita. Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese por besoj ka gatishmëri që të ecim”, ka deklaruar Haradinaj.
Kur është pyetur se në cilin rast do të bashkëpunonte me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Haradinaj ka theksuar se qëndrimi i AAK-së është një qeveri prej opozitës.
“Ne jemi në opozitë dhe si opozitarë angazhohemi me i dhënë Kosovës qeverinë e shumicës së opozitës. Ky është qëndrimi dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Numërimi i votave të zgjedhjeve të përgjithshme ka përfunduar të mërkurën e 5 marsit.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike të Kosovës dhe e katërta, sipas votave, është radhitur koalicioni AAK-Nisma./KP