Ish-oficeri i Policisë së Shqipërisë ekstradohet nga SHBA-ja, kërkohej për këto vepra

Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se në bashkëpunim me organet amerikane të sigurisë kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë në Shtetet e Bashkuara, një shtetas shqiptar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se shqiptari kishte urdhër arrest nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
“Shtetasi shqiptar F. L., 56 vjeç, ish-oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ishte në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror”.
“Shtetasi F. L. u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme. Ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit falënderou partnerët ndërkombëtarë të agjencive federale amerikane DSS dhe ICE-ERO, për të gjithë punën dhe përkushtimin maksimal në këtë operacion ekstradimi/deportimi.