ZRRE javën tjetër publikon raportin konsultativ për tarifat e reja – Avokati i Popullit paralajmëron: Ndikon në jetën e qytetarit…

Rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike ngjallur debate në opinion.
Krejt kjo erdhi pas raportimeve se tri kompanitë energjitike në Kosovës, KEDS, KESCO dhe kostt, kanë kërkuar prej Zyrës së Regullatorit për Energji për të rritur tarifat prej 1 prilli.
Megjithatë kjo mbetet ende nën shqyrtim.
Në një prononcim të shkurtër për Periskopin, kreu i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se javën tjetër pritet të publikohet raporti konsultativ.
“Javën tjetër pritet të dal raporti konsultativ, ndërsa mbesin dy javë që do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente”, ka deklaruar ai për Periskopin.
Pavarësisht reagimeve, asnjë ankesë s’është bërë deri tani tek Avokati i Popullit.
Naim Qelaj në një prononcim për Periskopin e konfirmoi këtë, duke thënë se do të trajtohet çdo ankesë që do të adresohet tek zyra e tij, pasi sic thotë është një vendim i tillë prek direkt qytetarin.
“E para ne s’kemi mar ndonjë ankesë prej qytetarëve për rritjen e energjisë, s’kemi pranuar ankesa të tjera të kësaj natyre që lidhet me tarifat e energjisë elektrike, por gjithsesi ne kemi me pa si rast, nëse na paraqitet naj ankesë, por edhe ndoshta sipas detyrës zyrtare do të provojmë me trajtu për arsye se ka me ndiku direkt edhe në jetën e qytetarëve”, ka thënë për Periskopin avokati i popullit, Naim Qelaj.
Ndryshe, ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë./Periskopi