Hargreaves: Krijimi i ekipeve të përbashkëta përmirëson efikasitetin

Në Prishtinë është bërë lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Jonathan Hargreaves, ambasador britanik në Prishtinë, tha se ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për hetimin dhe ndjekjen penale.
Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial deklaroi se përmes këtij bashkëpunimi do të forcohen kapacitetet e institucioneve të sigurisë.
“Kontributi juaj dhe ekspertiza e ofruar kanë qenë thelbësore për të siguruar përputhjen me standardet më të larta ndërkombëtare. Jam besimplotë se ky bashkëpunim do te forcojë kapacitetet e Prokurorise Speciale dhe Policisë së Kosovës. Me zotimin se do të garantojmë bashkëpunim me të gjitha institucionet, ne ju falënderojmë për këtë bashkëpunim”, deklaroi Hajdaraj.
Ndërsa, edhe drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, tregoi se si do t’i mbështesin ekipet e përbashkëta në hetimin e krimeve të rënda.
“Ekipe të tilla do të ndihmojnë për të forcuar koordinimin mes institucioneve. Ekipet do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, të cilat kërkojnë bashkëpunim mes institucioneve për të arritur rezultate të shpejta. Kjo do të mundësojë edhe mbështetjen e hetimeve ndërkombëtare që prekin qytetarët tanë. Ne do të sigurojmë trajnimin dhe mbështetjen e nevojshme për ekipet e reja. Ne jemi të vetëdijshëm që krimi dhe korrupsioni kërkojnë angazhim të përbashkët, andaj ekipet e përbashkëta janë mundësi për forcimin e besimit në institucione dhe për të siguruar që ata që shkelin ligjin do të mbajnë përgjegjësi”, shtoi ai.
Ndërsa nga ATK thanë se ekipet e përbashkëta hetimore do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.