SHBA-ja ia pezulloi informatat e inteligjencës Ukrainës, ndërsa Franca i bën zgjidhje

SHBA-ja ia pezulloi informatat e inteligjencës Ukrainës, ndërsa Franca i bën zgjidhje

Franca është duke i dhënë Ukrainës informata të inteligjencës ushtarake, pasi Uashingtoni njoftoi pezullimin e ndarjes së informatave të tilla me Kievin, tha të enjten ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.

SHBA-ja tha të mërkurën se e ka pezulluar ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën, duke e ndërprerë ofrimin e të dhënave jetike që kanë ndihmuar atë ta shënjestrojë pushtuesin rus. Megjithatë, zyrtarë të administratës Trump kanë thënë se bisedimet pozitive mes Uashingtonit dhe Kievit nënkuptojnë se pezullimi mund të jetë i shkurtër.

Informatat e inteligjencës amerikane janë jetike për Ukrainën në përpjekjet e saj për t’i gjurmuar lëvizjet e trupave ruse dhe për t’i zgjedhur objektivat.

Ministri Lecornu tha se Franca po vazhdon ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën.

“Informatat tona të inteligjencës janë sovrane. Ukraina mund të përfitojë nga informatat e inteligjencës sonë”, shtoi ai, raporton euronews.

SHBA-ja e mori vendimin pas përkeqësimit dramatik të raporteve mes Kievit dhe Uashingtonit. Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, u përplasën në Zyrën Ovale javën e kaluar dhe pas kësaj, SHBA-ja njoftoi se ka pezulluar ndihmën thelbësore ushtarake për Ukrainën.

Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, konfirmoi të mërkurën se ndarja e inteligjencës është ngrirë, teksa Ukraina po vazhdon të luftojë kundër pushtimit që Rusia ka nisur më 2022.

Shpërndaje në: