Mediave serbe u bëhet thirrje për bojkotim të aktiviteteve të Vuçiqit

Koalicioni për Lirinë e Mediave serbe, së bashku me mediat dhe organizatat tjera gazetareske, u bëri thirrje gazetarëve dhe mediave që të bojkotojnë aktivitetet e presidentit serb.
Ky vendim ka pasuar si reagim pasi Vuçiq së fundmi ka fyer korrespondentët e Radio Televizionit të Serbisë (RTS) nga Nishi, dhe më pas për shkak të, siç thonë, kërkim faljes së paturpshme.
Ata mendojnë se gazetarët duhet të injorojnë aktivitetet e presidentit serb, veçanërisht në rrjetet sociale – sepse kjo përmbajtje nuk është me interes publik.
“Përmbajtja që tregon presidentin duke gatuar, duke bërë petulla, duke ndarë qebapë apo duke pirë lëngje etj., sigurisht që nuk është me interes publik dhe mediat nuk janë të detyruara ta transmetojnë ato. Daljet e përditshme në televizione në të cilat Vuçiq bën monologje nga të cilat është e pamundur të përcaktohet se çfarë është lajm nuk janë as me rëndësi publike”, kanë theksuar nga Koalicioni.
Ata përkujtojnë se, sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë, presidenti duhet të shprehë “unitetin shtetëror”, ndërsa Vuçiqi, sipas tyre, po bën të kundërtën me sulmet e përditshme ndaj kritikëve.
“E njëjta gjë vlen edhe për gazetarët që raportojnë në mënyrë kritike dhe ju kujtojmë se gazetarja Lidija Georgijev, të cilën Vuçiqi e quajti ‘imbecil’, e ajo as që raportoi për të.
Sipas tyre, Vuçiqi shfaqet si shërbim PR i Kuvendit, Qeverisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera, gjë që është në kundërshtim me kompetencat e tij kushtetuese.Në përfundim, ata sërish i kanë bërë thirrje Vuçiqit që t’u kërkojë falje gazetarëve të RTS-së nga Nishi.
Kjo iniciativë është nënshkruar nga këto organizata: Shoqata e Mediave Online, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, Shoqata Afariste Asociacioni i Mediave Lokale dhe të Pavarura “Local Press”, Fondacioni Sllavko Quruvija dhe Dega Sindikata e Kulturës, Arteve dhe Mediave “Pavarësia”.