Kongresmeni republikan në ShBA propozon Trump për Çmimin Nobel për Paqe

Instituti Norvegjez Nobel ka njoftuar se numri i nominimeve për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2025 ka arritur në 338, nga të cilët 244 janë individë dhe 94 janë organizata. Kjo shifër shënon një rritje krahasuar me 286 nominimet e vitit të kaluar, por mbetet më e ulët se rekordi prej 376 kandidatësh të regjistruar në vitin 2016.
Kongresmeni republikan në SHBA, Darrell Issa, ka propozuar presidentin Trump për ta fituar këtë çmim. Ai deklaroi përmes një postimi në platformën X se “askush nuk e meriton më shumë çmimin se sa presidenti amerikan”.
Zyra e kongresmenit ka sqaruar se kandidatura e Trumpit është propozuar për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, mediat ukrainase raportojnë se deputeti Oleksandr Mereshko ka dorëzuar propozimin për Trumpin që në nëntor të vitit të kaluar, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e ish-presidentit amerikan pas sukseseve të tij në zgjedhjet e SHBA-së.
Përveç Trumpit, një sërë figurash të tjera të njohura janë nominuar për Çmimin Nobel të Paqes. Deputetët e parlamentit norvegjez kanë propozuar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe Papa Françeskun, sipas mediave ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, ky çmim prestigjioz iu dha organizatës japoneze Nihon Hidankyo, e cila përfaqëson të mbijetuarit e sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki.